05 Maj 2024

Fol: Prokurimi është duke e dëmtuar me miliona euro buxhetin

Prishtinë, 5 prill - Lëvizja Fol publikon raportin e monitorimit të procesit të prokurimit. Ky njëherit është raporti i parë që ka të bëjë me fushën e prokurimit publik.

Të gjeturat e këtij raporti tregojnë se institucionet dhe ndërmarrjet publike të Kosovës janë duke e dëmtuar me miliona euro buxhetin e shtetit për shkak të shkeljeve ligjore dhe të rregulloreve mbi prokurimin.

Kjo sipas Fol-it po ndodhë për shkak të interesave të ndryshme, aferave korruptive dhe papërgjegjësisë së zyrtarëve. Edhe dikastere të ndryshme rrezikojnë të paguajnë qindra mijëra euro për shkak të mospërfilljes së procedurave dhe ligjeve në fuqi.

PTK sipas Fol, rrezikon të paguajë 16 milion euro për shkak të papërgjegjësisë – PTK, në prill të vitit të kaluar, kishte lidhur kontratë për ndarjen e dy platformave të faturimit për njësinë e Telekomit dhe atë të telefonisë mobile VALA, në vlerë prej 20 milion euro me kompaninë izraelite “Amodcs”.

Pas nënshkrimit të kësaj kontrate Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë për Ekonomi e Financa e kishte marrë vendimin për shkëputjen e kontratës.

Kjo ministri nuk kishte reaguar më herët edhe pse kishte pasur tetë ditë në dispozicion pas shpalljes së fituesit për këtë projekt nga PTK-ja.

Më pastaj Kompania izraelite ka vendosur ta çojë lëndën në Gjykatën e Arbitrazhit në Londër duke kërkuar dëmshpërblim që kalon shumën prej 16 milionë eurove;

Shkeljet nga Komuna e Prishtinës - Në një tender për ndërtimin e një shkolle në Hajvali, vlera e të cilës kalonte shifrën prej 900 mijë eurosh, kishte bërë shkelje të Ligjit të prokurimit respektivisht nenit 50 i cili obligon autoritetet kontraktues që të specifikojnë në dosjen e tenderit se kontrata do t’i jepet operatorit me ofertën me të lirë apo ekonomikisht më të favorshme.

Komuna e Prishtinës në prill të vitit 2010 i kishte lënë të hapura të dyja mundësitë.

Organi Shqyrtues i Prokurimit e kishte anuluar këtë tender duke kërkuar nga Zyra e Prokurimit që të bëjë rivlerësimin e tij dhe të specifikojë kriteret në bazë të Ligjit të Prokurimit. Rasti tjetër është ai i ndërtimit të një shkolle në fshatin Tenezhdoll.


Edhe pse dy muaj më parë kishin filluar punimet, Komuna e Prishtinës kishte paguar kompaninë “Plan Ing” në vlerë prej 10 mijë euro nga Prishtina për të bërë projektin e kësaj shkolle.

Punimet kishin nisur saktë më 4 gusht nga kompania “Rexha”, dhe në ceremoninë e nisjes kishte prezantuar kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, ndërsa tenderi është shpallur shumë kohë më vonë;

Ministria e Drejtësisë duhet të paguajë dëmshpërblim 80 mijë euro - MD vitin e kaluar kishte lidhur kontratë me kompaninë “Kaqandolli”, e cila ishte shpallur fituese në tenderin për furnizim me vetura që e kishte shpallur ky autoritet. Oferta e kësaj kompanie për furnizim me 20 vetura kishte qenë mbi 200 mijë euro.

Zyrtarët e kësaj ministrie e kishin shkëputur kontratën me këtë kompani me arsyetimin se ky operator ekonomik nuk i kishte përfillur specifikat e tenderit.

Kjo kompani e kishte paditur në shtator të vitit të kaluar MD-në në Gjykatën Ekonomike. Eksperti shqyrtues i kësaj gjykate në raportin e tij kishte konstatuar se kësaj kompanie duhet paguar 80 mijë euro dëmshpërblim për shkak të shkëputjes së njëanshme të kontratës.

Ministria e Administratës Publike: pesëfishim i një kontrate - Më 13 gusht të vitit të kaluar Ministria e Administratës Publike kishte shpallur fitues të tenderit për menaxhimin e shpenzimeve të automjeteve qeveritare me sistemin GPS kompaninë “PBC” në konsorcium me “Navirecin” e Estonisë.

Ky konsorcium ishte shpallur fitues për një lot (pjesë) të këtij tenderi që kishte të bënte me montimin e pajisjeve për 2 mijë e 500 veturave qeveritare, agjencive buxhetore dhe komunave.

Oferta e kësaj kompanie kishte qenë 187 mijë e 500 euro, por sipas raportit të Agjencisë Kundër Korrupsionit kjo vlerë është pesëfishuar prej momentit të nënshkrimit të kontratës, gjë që përbën shkelje të ligjit të prokurimit.

Kontrata e Paligjshme e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit - Kryesuesi i Bordit Drejtues të ART, Ekrem Hoxha, më 23 shkurt të vitit 2011 kishte marrë vendim që ta pushojë nga puna zyrtarin e lartë të prokurimit, Avdi Ferin, me arsyetimin se kishte bërë shkelje të rënda të detyrave të punës.

Kjo kishte ndodhur për shkak se zyrtari i prokurimit kishte anuluar njoftimin për dhënie të kontratës e cila shpallte fitues konzorciumin R&T dhe TBS nga Shqipëria e cila ishte shpallur fitues në tenderin që kalonte shumën prej 830 mijë eurosh e që kishte të bënte me ndërtimin e qendrës nacionale të monitorimit të Radio Spektrit. Një gjë e tillë ishte kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

"OSHP gjatë vitit 2010 ka pranuar 331, ku në 62 raste Paneli Shqyrtues ka marrë vendim për anulimin e aktivitetit të prokurimit (Ri-tenderim), si pasojë e konstatimit të shkeljeve të dispozitave të LPP-së, për parregullsitë në dosjet e tenderit apo për zhvillimin me mangësi të procedurave të prokurimit; në 84 raste ka marrë vendim që Autoritet Kontraktuese që të bëjnë ri-vlerësimin e ofertave pasi kishin bërë gabime si pasojë e vlerësimeve të gabuara nga komisionet vlerësuese."
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)