29 Prill 2024

FOL kërkon që Pacolli të bëjë publike pasurinë

Prishtinë, 4 mars - Lëvizjes FOL ka kërkuar sot që sipas dispozitave ligjore të vendit presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli të bëjë publike pasurinë dhe interesat e tij publike.

Vitin e kaluar Behgjet Pacolli kishte kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) që të mos e bëj publike pasurinë e tij.

Një veprim i tillë nga vetë AKK-ja dhe Pacolli sipas Fol-it përbën shkelje të ligjit për prejardhjen, kontrollin dhe deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, i cili nuk e parasheh mos publikimin e pasurisë mbi bazë të kërkesës së një zyrtari.

"Një veprim i tillë i Pacolli ngreh pikëpyetje në përkushtimin e tij për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar – që janë problemet kryesore të vendit."

 Lëvizja FOL kërkon nga Presidenti Pacolli që të kërkojë nga Agjencia Kundër Korrupsion të bëjë publike pasurinë e tij.

Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL tha, se në përputhje me nenin 15, pika 1 e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, FOL kërkon nga Presidenti i vendit të zgjidhë vetë, sa më parë dhe në mënyrën sa më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit të tij të interesit.  Ndërkaq AKK-ja në përputhje me nenin 14 të verifikojë pasurinë e kryetarit Pacolli në përputhje me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit si dhe ligjin për Presidentin.

“Legjislacioni aktual nuk u lejon zyrtarëve publik të  menaxhojnë aksione më shumë  se 20%  të vlerës në një kompani, si dhe të bartin këto aksione tek persona të afërt me Pacolli sipas nenit 6 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”, tha Ilazi.

 Madje udhëheqësi i Lëvizjes FOL konsideron se është joetike që presidenti Pacolli të ketë interesa ekonomike përderisa ushtron funksionin më të lartë në vend.

"Prandaj, është ne interesin publik që z. Pacolli të sqarojë raportin që ka me bizneset e tij brenda dhe jashtë Kosovës. Kjo do t'i ndihmojë në funksionimin e këtij institucioni, si dhe do të krijojë një standard të mirë për zyrtarët e lartë publik", ka thënë ai

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)