FMN:S'ka shenja të rimëkëmbjes në Malin e Zi
Podgoricë, 3 shkurt - Zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) kanë deklaruar se ekonomia e Malit të Zi ka pësuar goditje të rëndë vitin e kaluar, dhe se nuk ka shenja të rimëkëmbjes së shpejtë.
Gervin Bell. Kreu i misionit të FMN-së që vizitoi Podgoricën, tha se "ka shenja se rënia ekonomike po zbutet, por nuk ka shenja të qarta për rimëkëmbje të fortë në afat të shkurtër".
Ekonomia e Malit të Zi pësoi rënie prej 7 përqind vitin e kaluar. Analistët thonë se Mali i Zi duhet ta ristrukturojë ekonominë e tij, e cila deri tani mbështetej në turizmin dhe spekulimet në tregun e pronave.
Mali i Zi zhytet në borxhe. Shifra 915 milionë euro, që llogaritet të jetë afro 32 për qind prej Produktit të Brendshëm Bruto të vendit është borxhi i përgjithshëm i Malit të Zi. Shifra është raportuar në analizën qeveritare për 6 muajt e parë të vitit.
Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të rrezikut Standard and Poors e radhit Malin e Zi në Grupin 9 në kategorinë që do të thotë rrezik të lartë ekonomik dhe kreditor. Sipas agjencisë rreziqet në Malin e Zi janë shtuar për shkak të rritjes drastike së kërkesave për kredi gjatë 3 vjetëve të fundit, si edhe për shkak të profilit të keq financiar të bankave të Malit të Zi.