FMN: Ulja e produktivitetit në punë kërcënon standardin e jetës
Washington, 5 prill - Presidentja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde bëri thirrje të hënën për marrjen e masave për të rritur produktivitetin në punë.
Ajo paralajmëroi se ulja e vazhdueshme e produktivitetit kërcënon rritjen e standardit të jetesës së qytetarëve, e madje rrezikon stabilitetin ekonomik e shoqëror.
Znj. Lagarde i bëri këto komente gjatë publikimit në Institutin Amerikan të Sipërmarrjes në Uashington të raportit më të fundit studimor të FMN-së mbi produktivitetin global. Sipas këtij raporti, ndikimi negativ i krizës financiare të vitit 2008 është më i rëndë sesa mendohej më parë.
Në raport thuhet se plakja e popullsisë, ngadalësimi i rritjes së tregtisë dhe veçanërisht pasojat e krizës financiare janë faktorët që ndikojnë negativisht mbi produktivitetin global.
Për të trajtuar pasojat e krizës financiare, Lagarde u bëri thirrje qeverive të vendeve të ndryshme të marrin masa për të nxitur gjallërinë e sipërmarrjeve, si pakësimi i pengesave lidhur me konkurrencën, shtimi i investimeve në arsim, ofrimi i stimujve për kërkim-zhvillimin etj.
Ajo u shpreh gjithashtu se vendet duhet të nxitin tregtinë e lirë dhe të ndihmojnë në integrimin e emigrantëve në shoqëri.