17 Nëntor 2024

FMN ul parashikimin e rritjes së ekonomisë botërore

Washington, 8 shtator - Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) publikoi dje raportin "Parashikimi i ekonomisë botërore 2014", ku e ka ulur parashikimin e rritjes ekonomike globale në 3.3 për qind sivjet dhe në 3.8 për qind në vitin 2015.

FMN-ja gjithashtu paralajmëron në këtë raport për përkeqësimin e krizës ekonomike dhe sugjeron se shumica e ekonomive duhet ta vlerësojnë "ruajtjen e rritjes" si detyrën e tyre kryesore.

Në raport theksohet se ekonomia botërore përballet me kriza afatshkurtra, duke përfshirë përkeqësimin e situatës gjeopolitike dhe të problemeve të tregjeve financiale, si edhe me kriza afatmesme, si rënia potenciale e ekonomive të zhvilluara dhe e ekonomive në zhvillim.

FMN-ja shprehet në raportin "Parashikimi i ekonomisë botërore 2014" se ekonomitë e zhvilluara duhet të shmangin ndërprerjen e parakohshme të politikave të lirshme monetare dhe duhet të shtojnë investimet infrastrukturore për të mbështetur rigjallërimin e ekonomisë.

Çmimet e aksioneve janë rritur, por investime të tjera nuk po tregojnë rritje dinamike. Rritja është mpakur nga tensionet gjeopolitike në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën perëndimore.

Ritmet jo të njëtrajtshme të rimëkëmbjes shfaqen me rritje ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe Britani, ngadalësim të rritjes në Kinë dhe ritme më të fuqishme ekonomike në Indi.

Për vitin e ardhshëm, Fondi Monetar Ndërkombëtar, parashikon që rritja të përshpejtohet në 3.8 për qind, nga 4 për qind që ishte parashikimi fillestar. Olivier Blanchard, këshilltar ekonomik dhe Drejtori i Departamentit të Kërkimit në FMN tha se rimëkëmbja vazhdon, por është e dobët.

Në vendet e ndryshme, evolucionet ekonomike po bëhen gjithnjë e më të diferencuara, shtoi ai. Për eurozonën, perspektiva ekonomike mbetet e dobët.

FMN ka ulur pritshmëritë për tre ekonomitë më të mëdha të eurozonës, Gjermani, Francë dhe Itali, kjo e fundit sipas Fondit, që po shkon drejt vitit të tretë radhazi të recesionit. Sipas Blanchard, eurozona rrezikon tkurrjen e konsumit dhe kalimin në deflacion. “Por, ky nuk është shqetësimi ynë kryesor, gjithsesi nëse do të ndodhë do të ishte problem”, tha ai.

Blanchard, në raport, nënvizoi tre rreziqe me të cilat përballet ekonomia globale. Së pari një periudhë e zgjatur e normave të interesit, që kërkon më shumë kujdes në politikat makroekonomike. Së dyti, rreziqet gjeopolitike janë bërë më evidente me krizën mes Rusisë dhe Ukrainës. Së treti, kriza në Lindjen e Mesme rrezikon shtrenjtimin e çmimeve të energjisë.

Në tërësi, FMN parashikon që rimëkëmbja ekonomike në vendet e Evropës në zhvillim, të vazhdojë të jetë e vakët, me rritjen që mbetet e fortë dhe përshpejtohet në Hungari, Poloni dhe Turqi. Nga ana tjetër në Evropën Juglindore rritja ekonomike pritet të ngadalësohet, si rrjedhojë e pasojave nga përmbytjet në Serbi e Bosnjë.

Tregjet financiare kanë qenë mbështetëse, megjithëse kreditimi për korporatat mbetet i dobët. Rajoni deri tani ka qenë elastik ndaj tensioneve gjeopolitike në Rusi dhe Ukrainë.

Inflacioni ra në pjesën më të madhe të ekonomive në rajon, duke reflektuar çmimet më të ulëta të ushqimeve dhe energjisë, si dhe presionet dizinflacioniste nga eurozona, veçanërisht për ekonomitë që i kanë monedhat e tyre të varura nga euro.

 Bosnja dhe Herzegovina, Bullgaria, Kroacia dhe Mali i Zi ranë në deflacion ndërkohë që përballen me një ekonomi të dobët. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)