FMN: Të reformohen skemat sociale të lidhura me luftën
Prishtinë, 21 prill - Ruud Vermeulen, përfaqësues rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, thotë se kostoja vjetore e skemave të përfitimeve, të lidhura me luftën në Kosovë, është duke u rritur me shpejtësi të madhe dhe do të mundë të arrijë shumën prej 100 milionë eurosh apo edhe më shumë deri në vitin e ardhshëm kundrejt 60 milionë eurove që ishin ndarë në buxhetin e vitit 2016 për të gjitha skemat e dala nga lufta.
Këto komente Vermeulen i ka bërë gjatë një interviste për gazetën Zëri, duke shtuar se kjo shumë është e barabartë me shumën e të gjitha shpenzimeve të qeverisë qendrore në shëndetësi dhe arsim.
Roli i veteranëve të luftës për të siguruar pavarësinë e Kosovës dhe sakrifica e tyre janë të mirënjohura dhe duhet të vlerësohen. Sikurse në çdo vend tjetër të botës, çështja kyçe ka të bëjë me mënyrën më efektive për ta treguar mirënjohjen për veteranët e luftës për shërbimin e tyre dhe për ta mbështetur rolin e tyre efektiv në jetën civile, tha Vermeulen.
Ishte paralajmëruar se skema e veteranëve të luftës do të kishte rreth 15.000 deri 20.000 veteranë të luftës. Por, deri më sot, ai thekson se numri i veteranëve të certifikuar të luftës veçse tejkalon 30.000 dhe vazhdon të rritet.
Për më tepër, kur filloi së zbatuari skema në tetorin e vitit të kaluar pritej që deri në 13.000 veteranë të luftës do të kualifikoheshin për ndihmë me të ardhura, të ashtuquajturin pension të veteranëve të luftës, i cili përcakton se atë mund ta marrin vetëm veteranët që nuk kanë të ardhura. Megjithatë, është e mundur që deri në fund të këtij muaji më shumë se 22.000 veteranë të luftës do ta marrin këtë pension, ndërsa ky numër është duke u shtuar dita-ditës. Sikur kjo të mos mjaftonte, tani ka kërkesa që të zgjerohet edhe numri i invalidëve të kualifikuar të luftës, 17 vjet pas përfundimit të luftës, tha Ruud Vermeulen, përfaqësues i FMN-së në Kosovë.