FMN: Shqipëria e para në rajon për numrin e lartë të kredive të këqija
Tiranë, 29 nëntor - Shqipëria ka aktualisht nivelin më të lartë të kredive me probleme në të gjithë Europën Qendrore e Lindore. Të dhënat bëhen të ditura në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Europën Qendrore Lindore dhe Juglindore.
Me një nivel të huave të pakthyera në afat që janë afërsisht sa 25% e totalit të kredive, Shqipëria kryeson, e ndjekur nga Rumania dhe Serbia, që e kanë këtë tregues në rreth 20-21%. Kërcimi për Shqipërinë ka qenë mjaft i lartë, nga rreth 6% që ishte niveli i NPL-ve përpara krizës së 2008.
Vendi e ka aktualisht këtë tregues rreth 10 pikë përqindjeje më të lartë se mesatarja e rajonit. Sipas raportit të FMN-së, niveli i NPL-ve është rritur me shpejtësi në shumë vende, që kur filloi kriza dhe tani ai është mesatarisht 14% për rajonin.
Rritja e NPL-ve erdhi pas një zgjerimi shumë të fortë të kredidhënies në periudhën 20032008, që u ndërpre në mënyrë të papritur me krizën financiare globale 2008/09. Sipas disa gjetjeve të një grupi pune të Nismës së Vjenës për huatë e pakthyera në afat, një rritje me 10 pikë përqindje e NPL-ve redukton rritjen e huave me 4%.
Me gjithë vështirësitë e krahasimit, rrjedhojë e ndryshimeve metodologjike midis vendeve në përpilimin e këtij treguesi, Shqipëria mbetet një nga vendet me rritjen më të lartë vjetore të këtij treguesi, përgjatë viteve të fundit.
Ky realitet së fundi është bërë prezent dhe nga Banka Botërore, e cila pas një analize të 13 sektorëve të ekonomisë, në një paketë masash për shmangien kolapsit ekonomik i kërkon qeverisë shqiptare të zgjidhë sa më shpejt çështjen e kredive të këqija, si është çështja më e rëndësishme që duhet të adresohet nga autoritetet shqiptare.
Huatë me probleme kanë arritur aktualisht në mbi 24% dhe kanë shfaqur vazhdimisht një tendencë rritëse përgjatë këtij viti, ndërsa vetëm në korrik u konstatua një ulje e lehtë. Niveli i tyre është më i larti në rajon, duke lënë pas vetëm Rumaninë dhe Serbinë.
Stoku i lartë i huave me probleme është dhe një nga arsyet kryesore që bankat kanë ndërprerë dhënien e kredive, me huadhënien e për ekonominë që për shtatë muajt e parë të vitit ra me gati 1% me bazë vjetore, tkurrja e parë në më shumë se një dekadë.
Situata e rëndë me kreditë e këqija është konfirmuar së fundmi dhe nga Banka Qendrore, raportet e të cilës kanë parashtruar se efektet e krizës ekonomike janë përkthyer në vështirësi për kthimin e kredive, niveli i të cilave ka arritur në mbi 24%.
Kreditë me probleme kanë vijuar të rriten gjatë tremujorit të tretë 2013, duke arritur në 24.2 për qind të totalit të kredive në fund të muajit shtator.
(SotNews)