FMN: Rritja ekonomike e Kinës këtë vit mund të përgjysmohet
Pekin, 6 shkurt - Fondi Monetar Ndërkombëtar (IMF) paralajmëroi se rritja ekonomike e Kinës këtë vit mund të përgjysmohet në rast të thellimit të krizës së borxhit në zonën e euros.
FMN për këtë vitit rritjen ekonomike të Kinës, vendi që ka ekonominë e dytë më të madhe sot në botë, e ka parashikuar 8,2 për qind.
Por në rast të përkeqësimit të ekonomisë globale norma e rritjes ekonomike të Kinës, sipas FMN-së, do të bjerë në 4 për qind.
Fondi gjithashtu tërheq vëmendjen se Pekini mund të rrisë stimulimet e mbështetjet financiare me qëllim mbështetjen e ekonomisë kombëtare përballë krizës së borxhit.
Ndërsa Banka Botërore në raportin që publikoi muajin e kaluar i kishte paralajmëruar ekonominë në zhvillim, ku bën pjesë edhe Kina, për të pasur kujdes nga përkeqësimi i mundshëm në ekonominë globale.
Banka Botërore kishte theksuar se për këto vende kriza do të ishte shumë herë më e vështirë në krahasim me krizën ekonomike globale të vitit 2008.