28 Prill 2025

FMN, raport pozitiv për Greqinë

Athinë, 7 maj - Pas raportit të BE tre javë më parë për Greqinë, edhe FMN ka publikuar në orët e fundit një raport të ri vlerësimi, që thekson se Athina ka bërë një progres të admirueshëm për zgjidhjen e problemeve strukturore, pavarësisht reçesionit të rëndë ekonomik me pasoja sociale që po kalon vendi.

Sipas raportit, është bërë një përparim mbresëlënës në politikat fiskale, i pakrahesueshëm me çdo shembull në botë, pasi megjithëse Greqia ka pësuar një ulje të PBB-së me mbi 20%, ajo do të arrijë sivjet një sufiçit primar prej gati 10%.

Gjithashtu, reformat e rëndësishme në tregun e punës kanë ndihmuar për të rregulluar pagat nominale dhe produktivitetin në nivelin e kompanive të ndryshme, duke e bërë kështu vendin më shumë konkurrent sesa më parë.

Megjithë dëmet e mëdha që pësuan institucionet bankare, pas ristrukturimit të borxhit dhe rritjes së kredive të këqia, FMN thotë se Greqia ka ruajtur stabilitetin e sektorit të saj bankar. Por FMN e vë theksin në ekzistencën e tre problemeve kryesore.

Së pari, evazioni fiskal që lulëzon ende pasi të pasurit dhe të vetëpunësuarit nuk paguajnë ende taksat. Së dyti, megjithë reduktimin e pagave dhe pensioneve çmimet vazhdojnë të jenë ende të larta në treg për shkak të dështimit të reformave të liberalizimit të profesioneve të ndryshme. Dhe së treti, ribalancimi i ekonomisë ka çuar në një rritje të papunësisë në sektorin privat.

Publikimi i raportit pozitiv të FMN për Greqinë, që është pritur me mosbesim nga opozita, është shoqëruar edhe me një artikull të “Wall Street Journal”, i ripublikuar edhe në mediat gjermane.

Sipas tij, pas shifrave që tregojnë një pamje të errët për Greqinë me papunësinë e madhe dhe reçesionin e vazhdueshëm, situata politike është e qëndrueshme, grekët po rikthejnë paratë e tyre në bankat e vendit, kanë filluar privatizimet e mëdha dhe është thyer një prej tabuve më të rëndësishme, ajo e pushimit nga puna të nënpunësve të shtetit.

Sipas gazetës amerikane, kreditorët e Greqisë, duke parë këtë përmirësim premtojnë se nëse deri në fund të këtij viti realizohen objektivat, mund të reduktojnë një pjesë të mirë të borxhit kolosal të vendit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)