15 Nëntor 2024

FMN përmbylli vizitën në Kosovë

Prishtinë, 6 prill - Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) vizitoi Prishtinën gjatë periudhës 23 mars deri 5 prill, për të kryer rishikimin e dytë të programit ekonomik të Kosovës të mbështetur me Marrëveshje Stand-By (SBA). Pas përmbylljes së vizitës, shefi i misionit te FMN-së për Kosovë Jacques Miniane dha deklaratën në vijim:

“Misioni pati diskutime konstruktive me autoritetet lidhur me politikat për përfundimin e rishikimit të dytë në kuadër të SBA-së. Është arritur mirëkuptim për shumicën e çështjeve. Megjithatë, meqë autoriteteve u duhet kohë shtesë për t’i përvijuar synimet e tyre të politikave në disa fusha, diskutimet do të vazhdojnë gjatë javëve në vijim.

“Performanca në kuadër të programit vazhdon të jetë e fuqishme në shumë fusha. Autoritetet kanë arritur rregullim të konsiderueshëm fiskal në vitin 2015, ku caqet e deficitit fiskal dhe balancit bankar të qeverisë kanë pasur performancë shumë më të mirë se që ishte paraparë me program, si dhe janë frenuar shpenzimet rrjedhëse\".

\"Bankat vazhdojnë të jenë në gjendje të mirë dhe rritja e vitit të kaluar në kreditë e lëshuara ka vazhduar. Është duke u shënuar progres në masat për eliminimin e barrierave strukturore në kredidhënie, avancimin e mbikëqyrjes bankare dhe përcaktimin e kornizës së politikave makroprudenciale. Sistemi i prokurimit publik është fuqizuar. Në të ardhmen, përdorimi i gjithmbarshëm i sistemit të ri është i rëndësishëm për ta bërë prokurimin më transparent dhe shpenzimin publik më efikas.

“Megjithatë, përkundër këtyre arritjeve, zgjerimi i shpejtë i shpenzimeve që kanë të bëjnë me skema të ndryshme, veçanërisht i beneficioneve të lidhura me luftën, është duke bërë presion gjithnjë më të madh në buxhet dhe është duke minuar përpjekjet e autoriteteve për ta ruajtur qëndrueshmërinë fiskale duke krijuar hapësirë për projekte kapitale që nxisin rritje dhe shpenzime të tjera prioritare.\"

\"Duke qenë të vëmendshëm për këtë rrezik, autoritetet në konsultim me stafin e FMN-së janë duke përgatitur një pako të masave që kanë për qëllim strukturimin dhe kalibrimin më të mirë të këtyre skemave, duke mbajtur shpenzimet përkatëse të ndërlidhura në 1 deri 1.25 për qind të BPV-së për vit. Kjo do të siguronte që caqet e programit fiskal të vitit 2016 të mbahen brenda kornizës së pranueshme dhe se buxheti i vitit 2017, i cili do të hartohet më vonë gjatë këtij viti, do të jetë në përputhje me rregullën fiskale.

“Diskutimet me autoritetet do të vazhdojnë, duke përfshirë gjatë takimeve pranverore në Uashington në vijim të këtij muaji.”

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)