FMN partner strategjik i Kosovës në ruajtjen e stabilitetit makro-financiar
Prishtinë, 14 shkurt - Zëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar Tao Zhang po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, ku është pritur në takim nga Ministri i Financave Bedri Hamza dhe u.d Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti.
Me këtë rast, ministri Hamza e falënderoi Zhang për mbështetjen e FMN-së dhe angazhimin për Kosovën. Kjo është vizita tretë e menaxhmetit të FMN-së në Kosovë.
“Siç jeni njoftuar, para dy javëve, Bordi Ekzekutiv i FMN-së, kryesuar nga z. Zhang, ka aprovuar rishikimin vjetor të gjendjes ekonomike dhe fiskale në Kosovë (Rishikimi i Artikullit të IV-të). Me këtë rast, Bordi ka diskutuar rreth zhvillimeve ekonomike në Kosovë për vitin 2017 dhe Drejtorët Ekzekutiv janë pajtuar njëzëri se Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në forcimin e qëndrueshmërisë fiskale, forcimin e stabilitetit në sektorin financiar, si dhe avancimin e reformave strukturore” tha Ministri Hamza sot në Konferencën e përbashkët Media me z. Tao Zhang.
Ministri Bedri Hamza gjithashtu falënderoi Zhang për përkrahjen e FMN për kalimin e Kosovës nga Artikulli XIV në Artikullin e VIII – që vjen pas vlerësimit të FMN-së se “Kosova nuk ka kufizime këmbimore për transaksionet ndërkombëtare,” - gjë që forcon edhe më shumë ambientin e të bërit biznes në Kosovë. “Ne kemi një pajtim të plotë me FMN-në rreth objektivave dhe politikave fiskale, financiare, dhe zhvillimore, si në aspektin afat-shkurtër edhe në atë afat-gjatë. FMN-ja ka qenë dhe do të vazhdoj të mbetet partner jetik për Kosovën drejt mbarëvajtjes së stabilitetit makro-financiar,” shtoi ministri Hamza.
U.d. Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti, duke falënderuar Tao Zhang për mbështetjen e Kosovës, në veçanti të BQK-së, tha se “Unë ju siguroj se në çdo aranzhman të mundshëm, ne do të vazhdojmë të jemi partner i besueshëm i FMN-së duke punuar në mënyrë intensive për zbatimin e reformave të mëtejme strukturore dhe duke forcuar edhe më tutje bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet dy institucioneve."
"Zhvillimet në sektorin bankar janë shumë të favorshme edhe për sa i përket treguesve të shëndetit financiar, ku dëshiroj të theksoj rënien e mëtejme të normës së kredive joperformuese, e cila tani ka zbritur në 3.1%”, shtoi Mehmeti.
Ndërsa, Zëvendësdrejtori menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, e falënderoi Ministrin Bedri Hamza dhe ud. Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe të sinqertë të Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe shprehi vullnetin dhe gatishmërinë e FMN-së për të mbështetur zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës.