FMN parashikon që ekonomia globale të tkurret 3 për qind
Washington, 15 prill - Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që ekonomia globale do të tkurret 3 për qind në vitin 2020, si rezultat i pandemisë së COVID-19.
Më parë, në janar, FMN-ja kishte parashikuar një rritje prej 3.3 %.
Kryeekonomistja e FMN-së Gita Gopinath thotë nëse hamendësojmë se pandemia dhe kontrolli i saj kulmojnë në tremujorin e dytë në shumicën e vendeve të botës dhe më pas ulen në gjysmën e dytë të këtij viti, parashikojmë që rritja globale në vitin 2020 të bjerë në minus 3 për qind.
"Kjo është një ulje prej 6.3 pikë përqindjeje nga janari i 2020-s. Një rishikim i madh për një periudhë shumë të shkurtër kohore."
"Kjo e bën 'bllokimin e madh' recesionin më të keq që nga Depresioni i Madh dhe shumë më të keq se krizat financiare globale", ka deklaruar Gopinath.
Kryekonomistja tha që, nëse pandemia vazhdon në vitin 2021, prodhimi global mund të bjerë vitin e ardhshëm edhe me 8 për qind më shumë.
Ndërkohë, ajo theksoi se vendet e ndryshme duhet të vazhdojnë të shpenzojnë shumë në sistemin e tyre shëndetësor:
"Kontrolli i përhapjes së COVID-19 duke përdorur bllokimet u mundëson sistemeve shëndetësore që të përballen me këtë krizë, çka më pas lejon rifillimin e veprimtarisë ekonomike."
"Në këtë kuptim, nuk ka asnjë shkëmbim midis ruajtjes së jetës dhe ruajtjes së mjeteve të jetesës. Vendet duhet të vijojnë të mbështesin bujarisht sistemet e tyre shëndetësore, të kryejnë testime gjerësisht dhe të mos vendosin kufizime tregtare për materialet mjekësore."
Gita Gopinath-i tha gjithashtu se FMN-ja është e gatshme të rritë me 1 trilion dollarë kapacitetin e kreditimit, për të mbështetur vendet që kanë nevojë për ndihmë në përballimin e pandemisë.