FMN paralajmëron se ekonomia globale vazhdon të përballet me rreziqe
Davos, 22 janar - Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se normat e ulëta të interesit dhe tensionet e ulura tregtare do t'i japin shtysë ekonomisë globale gjatë dy vjetëve të ardhshëm.
Raporti parashikon që rritja ekonomike botërore do të përshpejtohet nga 2.9 përqind vitin e kaluar në 3.3 për qind këtë vit dhe 3.4 për qind në 2021-shin.
Duke paraqitur raportin e parashikimit të ekonomisë globale në Davos të Zvicrës, shefja e FMN-së Kristalina Georgieva theksoi se ekonomia ndërkombëtare po merr një nxitje të konsiderueshme.
Ajo tha se marrëveshja e përkohshme tregtare e nënshkruar javën e kaluar nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina pritet të shtojë rritjen globale këtë vit, duke ulur tarifat dhe duke përmirësuar besimin e biznesit.
Megjithatë, FMN-ja paralajmëron se ekonomia globale vazhdon të përballet me një varg rreziqesh.