FMN paralajmërim Shqipërisë për borxhin publik
Tiranë, 20 shtator - Shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipërinë Nadeem Ilahi paralajmëroi të enjten se ekonomia shqiptare përballet me vështirësi të mëdha në vitin 2013, duke këshilluar kujdes në vijimin e masave për uljen e deficitit dhe të borxhit publik.
Në fjalën e vet në konferencën rajonale të organizuar në Tiranë nga Banka e Shqipërisë dhe Departamenti i Studimeve të Europës Juglindore i Universitetit të Oksfordit, Ilahi vuri në dukje se rritja ekonomike në rajon dhe në shumë vende evropiane ka rënë në valën e goditjeve nga tregjet globale dhe nga Eurozona dhe ngadalësimi ekonomik mund të vazhdojë me rënien e eksporteve dhe uljen e kërkesës.
Një gjendje e tillë, shtoi ai, kërkon maturi në përpjekjet për uljen e deficitit dhe të borxhit publik.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në korrik borxhi i qeverisë shqiptare u rrit në 6.3 miliard euro, duke zënë 61 për qind të GDP-së së parashikuar të vendit për mbarë vitin.
FMN-ja ka paralajmëruar vazhdimisht se ekonomia shqiptare po përballet me sfida në rritje nga borxhi i lartë public, që po e kalon kufirin e 60 për qind të GDP-së. Niveli relativisht i lartë i borxhit po ushtron trysni mbi perspektivat e rritjes ekonomike të vendit.