FMN nxit vendet anëtare të miratojnë planet e reformave
Washington, 2 shkurt - Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) publikoi të enjten gjendjen e zbatimit të planeve të reformës së kuotave dhe të drejtimit të saj, duke i nxitur vendet e veta anëtare që ende nuk i kanë mbaruar procedurat e miratimit, ta bëjnë këtë sa më shpejt.
FMN-ja u shpreh në një deklaratë të publikuar të enjten se bordi i drejtorëve ekzekutivë të saj ka shqyrtuar ditët e fundit procesin e zbatimit të planeve të reformave të miratuar në dhjetor të vitit 2010.
Deri në mesin e janarit të sivjetshëm, 145 vende anëtare me 77.1 % të kuotave e kanë miratuar planin e reformës së kuotave, ndërsa 130 vende me 79.2 % të së drejtës së votës kanë miratuar planin e reformës së drejtimit të FMN-së.
Megjithatë, ende nuk është arritur pragu i nevojshëm ligjor për vënien në zbatim të këtyre planeve.
Kontribuesja më e madh në FMN, ShBA-ja, ende nuk i ka miratuar planet, çka është bërë pengesa kryesore për kryerjen e reformave të FMN-së.
Zëdhënësi i FMN-së Gerry Rice u shpreh se Fondi ka arritur progres në nxitjen e planeve të reformave të vitit 2010 dhe, sipas tij, tani po afron \"vija e mbërritjes\". Njëkohësisht, ai u bëri thirrje vendeve anëtare që nuk i kanë miratuar këto plane, që të shpejtojnë në këtë proces.