FMN nuk pranon tjetër rritje pagash
Prishtinë, 26 shtator - Qeveria e Kosovës mund të përjashtohet sërish nga marrëveshja Stand-By e lidhur sivjet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, nëse realizohet premtimi i radhës i kryeministrit Hashim Thaçi për rritjen e pagave për mësimdhënësit.
Kjo rritje e shpenzimeve për pagat e mësimdhënësve është në kundërshtim të plotë me marrëveshjen Stand-By, por edhe me vetë premtimin e firmosur nga kryeministri Thaçi në letrën e dërguar në Bordin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Përfaqësues ndërkombëtarë në vend i kanë thënë gazetës Koha Ditore se në qoftë se vendoset për rritjen e pagave, atëherë Kosova do të devijojë nga marrëveshja Stand-By.
Qeveria fillimisht duhet të bëjë reformën e shërbimit civil. Rritja e pagave për 50 për qind do të thotë ndryshim shumë i madh në krahasim me politikat e Letrës së Qëllimit të nënshkruar nga Thaçi gjatë miratimit të marrëveshjes Stand-By, ka thënë një zyrtar ndërkombëtar nën kushtet e anonimitetit.