FMN: Në rast krize ekonomike shtohen 23 milionë të varfër
Washington, 16 nëntor - Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) shprehte shqetësimin në një raport të botuar të hënën se 23 milionë vetë më shumë do të bien nën pragun e varfërisë në botë, në rast krize ekonomike në vendet e pasura, dhe veçanërisht në rast krize në Evropë.
FMN-ja e realizoi këtë simulim në një raport që ua ka kaluar shteteve anëtare në shtator dhe që titullohet: "Administrimi i rreziqeve për rritjen ekonomike dhe goditjet e çmimeve të lëndëve të para në botë: cenim dhe sfida politike për vendet me të ardhura të ulëta".
Sipas llogarive, nëse rritja botërore do të jetë 2,6% në 2011 dhe 2,4% në 2012, për shkak të "goditjeve të konjukturës financiare në disa vende të avancuara" dhe të një recesioni në zonën euro, atëherë kjo do të "kishte pasoja të forta mbi varfërinë".
"Njëzet e tre milionë persona shtesë në vendet me të ardhura të ulëta mund të shtyhen drejt varfërisë deri në 2012, sipas këtij skenari", kryesisht në Afrikë, në Azi dhe në Paqësor, kanë shkruar ekonomistët e institucionit.
FMN-ja ka shqyrtuar gjithashtu edhe një hipotezë tjetër në të cilën kriza financiare do t'i nxiste investitorët, si në gjashtëmujorin e parë të 2008, drejt lëndëve të para, duke sjellë si efekt shtrenjtimin në mënyrë brutale të produkteve ushqimore dhe të naftës.
Pasojat do të ishin akoma më të këqija, me 31 millonë persona që do të binin poshtë pragut të varfërisë.
Fondi ruan përkufizimin e Bankës Botërore: të paktën 1,25 dollar në ditë dhe për person. Sipas Bankës, 1,37 miliardë persona ishin nën këtë prag në vitin 2005, viti më i afërt në të cilin janë plotësuar të dhënat.