FMN miraton disbursimin e 40,66 milionë eurove për Kosovën
Prishtinë, 21 dhjetor - Ministri i Financave Bedri Hamza, në konferencë për media ka njoftuar se Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka përfunduar dje rishikimin e dytë të ecurisë ekonomike të Kosovës në bazë të programit të mbështetur nga Marrëveshja Stand-By 20-mujore (SBA).
Përfundimi i rishikimit mundëson disbursimin e SDR 34.857.000 (rreth 40.660.000 milionë euro, apo 53.860.000 milionë dollar amerikan), duke e çuar shumën e përgjithshme të disbursimeve sipas marrëveshjes në 78.216.000 SDR (rreth 91.240.000 milionë euro, apo 120.860.000 milionë dollar amerikan).
Në kompletimin e shqyrtimit, Bordi Ekzekutiv miratoi ri-vendosjen e disbursimeve të mbetura nën SBA për të renditur rishikimet programore me kalendarin buxhetor të autoriteteve. Bordi gjithashtu ka miratuar kërkesën e autoriteteve për modifikimin e kriterit të performancës në fund të dhjetorit 2012, bilancin bankar të qeverisë së përgjithshme.
Ministri Bedri Hamza, tha se Kompletimi i rishikimit të dytë të marrëveshjes dhe disbursimi i radhës rreth 41 milionë euro, është bërë i mundur, falë angazhimit të palodhshëm të Ministrisë së Financave dhe Qeverisë për vazhdimin e implementimit të politikave reformuese, që përfshinë një numër masash fiskale dhe strukturore.
Implementimi i politikave të tilla, ka bërë të mundur që Kosova të vazhdoj të ruaj stabilitetin fiskal, atë financiar dhe mbi të gjitha, ka siguruar një ambient të qëndrueshëm makroekonomik. Siç e dini, buxheti për vitin 2013 është aprovuar ditë më parë nga Parlamenti, dhe ka qenë plotësisht i harmonizuar me FMN-në tha ministri Hamza.
Ministri Hamza njoftoi se Bordi Ekzekutiv i FMN-së ka vlerësuar se politikat makroekonomike dhe financiare janë në rrugën e duhur dhe se buxheti i vitit 2013 sjell Kosovën pranë një gjendjeje plotësisht të qëndrueshme fiskale.
Falë reformave që kemi ndërmarrë dhe efektit të këtyre reformave në përformancën ekonomike dhe fiskale të vendit, gjatë vitit të ardhshëm presim që relacionet tona me FMN-në të kalojnë në një nivel më të lartë, që njihet si Statusi i kujdesit paraprak.
Ministri Hamza, në këtë konferencë gjithashtu njoftoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë njoftimin zyrtar nga Banka për Zhvillim dhe Rindërtim(BERZH), se Kosova është bërë anëtare me drejta të plota në këtë institucion.