FMN, larg një marrëveshjeje të re me Greqinë
Washington, 4 prill - Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar tha se kjo organizatë dhe Greqia janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje të re të ndihmës për grekët.
Christina Lagarde i tha kryeministrit grek, Alexis Tsipras, se FMN-ja mund ta përkrahë vetëm një program kredibil dhe të bazuar në pritje reale.
Ajo ka mohuar një akuzë nga organizata Wikileaks se FMN-ja po kërkon një krizë në Greqi, në mënyrë që Athina të pranojë reforma radikale. Ajo tha se FMN zhvillon negociatat në mirëbesim, e jo përmes rrugës së kërcënimeve.
Greqia ka pranuar një ndihmë prej 86 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian në korrik të vitit 2015, ndihma e dytë e ngjashme për vendin që nga viti 2010.
FMN thotë se nuk do të marrë pjesë në dhënien e ndihmës së tretë, derisa të shohë dëshmi të besueshme për reforma. Athinës po i bëhet presion për ristrukturim të pensioneve dhe taksave, masa që nuk kanë aspak përkrahje nga qytetarët.