FMN: Kriza greke dhe italiane rrezikojnë Shqipërinë
Tiranë, 26 tetor - Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi dje një raport për ekonominë shqiptare ku konstatohet se Shqipëria ka lidhje të forta me Greqinë dhe Italinë, jo vetëm tregtare, por edhe në tregun e punës dhe sistemin bankar.
Këto dy të fundit mund të rezultojnë në pasoja substanciale, ku rreziku më i madh është ai i infektimit të sistemit bankar.
Borxhi i pashlyer në banka nga 3 përqind e totalit përpara krizës është gjashtëfishuar duke arritur në gati 18 për qind.
FMN thotë se shkaku kryesor i përkeqësimit të kredisë është dobësia e institucioneve dhe sistemit gjyqësor në vend që pengojnë ekzekutimin e garancive.
Zgjidhja e kësaj cështjeje duhet të jetë sipas FMN-së një nga prioritetet kyc afatshkurtër të Shqipërisë, pasi sipas tij këto shkurtime spontane kanë rritur rrezikun që qeveria të mos shlyejë detyrimet e saj financiare për bizneset që kryejnë punët publike.
Borxhi i keq i qeverisë arriti në 0.7 për qind e Prodhimit Kombëtar Bruto.
FMN thotë se këto detyrime janë bërë një faktor rreziku për krijimin e një zinxhiri borxhesh të pashlyera në eknomi. Nga ana tjetër, për shkak të mosrimbursimit, qeverisë i janë akumuluar detyrime të mëdha të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që duhet kthyer.
Nëse administrata nuk rimburson TVSH-në, FMN thotë se imazhi i Shqipërisë në sytë e investitorëve të huaj, do të cënohet.
Ndërsa nëse qeveria do i shlyejë këto detyrime, buxheti do të goditet jo pak.
Në fund FMN vëren se qeveria shqiptare është kontradiktore në vizionin e saj mbi modelin e ekonomisë, teksa nga njëra anë mbron idenë e qeverisë së vogël me taksa të ulëta, por ndërkohë vitet e kaluar ka rritur fort faturën e pagave dhe pensioneve ndërkohë që mbledhja e taksave është përkeqësuar.
Në këto kushte Fondi i sugjeron qeverisë shqiptare që rritja e pagave dhe pensioneve të jete sa për të kompensuar rritjen e çmimeve, së dyti të përmirësojë mbledhjen e të ardhurave dhe të rishikojë nivelin e taksës së sheshtë, që sipas saj, duhet të rritet.