FMN: Kredija për Ukrainën kërkon reforma
Washington, 3 maj - Fondi Monetar Ndërkombëtar do të ndihmojë Kievin me një paketë financiare që synon të mbështesë ekonominë e dobët ukrainase.
Por ndërkohë që Ukraina përpiqet të luftojë korrupsionin në qeveri dhe të bllokojë ndërhyrjen ruse në lindje, vetë FMN-ja tha se miratimi i kredisë mund të jetë me rreziqe.
Drejtori i Departamentit Evropian të FMN-së Reza Moghadam tha dje në komentet për shtyp se ky institucion pret nga Ukraina të përmbushë të gjitha detyrimet e saj financiare, megjithëse i kanoset falimentimi. Ukraina i detyrohet Rusisë 2.2 miliardë dollarë për importet e gazit rus.
FMN-ja njoftoi një paketë kredie prej 17 miliardë dollarësh për Ukrainën, ndërkohë që Banka Botërore, Bashkimi Evropian, Japonia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara janë zotuar të japin 15 miliardë të tjera.
Kreditë shoqërohen me kushtin që Kievi të zbatojë reforma ekonomike, përfshirë rritje taksash, ngrirje rrogash dhe shkurtime të programeve sociale.
Por zoti Moghadam pohoi se paketa e FMN-së nuk është aq e madhe sa duket. Ai tha se 5 nga 17 miliardë dollarët e paketës do të përdoren për të paguar një borxh të mëparshëm që i ka Kievi Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Zoti Moghadam nuk u rezervua kur foli për gjendjen e rëndë financiare dhe politike në Ukrainë:
\"Vendi ballafaqohet me një masë të lartë pasigurie.
Një ekspert për republikat ish-sovjetike, politologu Lionel Ingram thotë për Zërin e Amerikës se FMN-ja ka të drejtë të ndjehet e nervozuar për paketën e re që miratoi për Ukrainën:
\"Po të isha unë në vendin e FMN-së, do të tregohesha shumë i kujdesshëm nëse do të vendosja ti jepja ndihmë Ukrainës. Nga ana tjetër, po të isha në vend të FMN-së do ta kuptoja se sa e nevojshme është të jepet ndihmë.
Nënpresidenti amerikan Joe Biden, i cili vizitoi kohët e fundit Ukrainën, dënoi ndërhyrjen ruse në një fjalim në Uashington këtë javë. Por ai kishte kritika edhe për Ukrainën, duke thënë se korrupsioni është një ndër arsyet që Kievi ndodhet në këto vështirësi.
\"Korrupsioni është një forcë tepër gërryese. Mund të mos jetë diçka që na pëlqen të dëgjojmë në diskutimet politike, por ky është realiteti.
Shefi i misionit të FMN-së për Ukrainën, Nikolay Gueorguiev, thotë se agjencia ka vërejtur përmirësime në përpjekjet e Kievit për të luftuar korrupsionin. Ai tha se Ukraina ka ndërmarrë disa reforma, përfshirë ndalimin e prodhimit të alkoolit të paligjshëm në vend.