FMN: Kosova ka përmbush kriteret e marrëveshjes Stand By
Në përmbyllje të vizitës së misionit të FMN-së në Kosovë, ministri i Financave, Besim Beqaj, tha se Kosova mbetet ndër vendet me qëndrueshmërinë makrofiskale më të mirë në rajon dhe rritje të konsiderueshme ekonomike.
Pas programit me FMN-në dua të them që Kosova është e gatshme të vazhojë sepse ka stabilitet makrofiskal, politika të qëndrueshme, disiplinë financiare, por njëkohësisht mund të përfitojë pa programin me FMN-në në fushën e asistencës teknike, tha Beqaj.
Ministri Beqaj tha se me FMN-në janë pajtuar për kategoritë kryesore të buxhetit të vitit 2014, që sipas tij është buxhet i rritjes ekonomike.
Sipas tij ky buxhet siguron zbatimin e reformave të parapara nga qeveria, mbulon koston për ish të burgosurit politik dhe kategoritë e luftës, por parasheh edhe rritje të pagave në sektorin publik.
Ne kemi paraparë një masë monetare dhe normalisht presim vendimin që do të merret në qeveri për kohën se kur dhe sa do të jetë, tha ai.
Udhëheqësi i misionit të FMN-së për Kosovë, Johanes Wiegand, tha se buxheti i Kosovës për vitin 2014-të mundëson rritjen ekonomike, më të lartën në rajon, mbi 4 për qind.
Wiegand theksoi se me buxhetin e vitit të ardhshëm nuk kërkohet privatizimi i PTK-së, dhe kjo nuk është parakusht as për ndërtimin e autostradës së re.
Pas dy viteve e gjysmë të menaxhimit të disiplinuar fiskal mendojmë e buxheti është mjaft i fuqishëm për të financuar një projekt të madh të infrastrukturës-autostradën e re, nga vet resurset e Kosovës, pa pasur nevojë për extra financim.\"
\"Në fund, sigurisht ka një hapësirë të caktuar për rritjen e pagave në sektorin publik. Mendoj se është shumë herët të flitet në përqindje te sakta, por do të gjenden modalitetet, tha Wiegand.
Përmes programit Stand By, e cila ka filluar rreth dy vitesh, Kosova ka përfituar rreth 107 milionë euro, ndërsa pritet të përfitojë edhe 5 milion euro për buxhetin e Kosovës.