07 Nëntor 2024

FMN kërkon riklasifikim të veteranëve deri në fund të majit

Prishtinë, 25 prill - Drejtori i Zyrës së FMN-së në Kosovë, Ruud Vermeulen, ka deklaruar se performanca në kuadër të programit të mbështetur nga FMN-ja vazhdon të jetë e fortë.

“Autoritetet e Kosovës mbajtën diskutime me stafin dhe menaxhmentin e lartë të FMN-së në Uashington gjatë Takimeve Pranverore 2017. Diskutimet kishin në fokus performancën e programit dhe masat e nevojshme për të siguruar përmbyllje të suksesshme të programit. Performanca në kuadër të programit të mbështetur nga Fondi vazhdon të jetë e fortë.\"

\"Autoritetet i kanë përmbushur të gjitha caqet fiskale për fundin e muajit mars, si dhe janë të bindur se deficiti i buxhetit në vitin 2017 do të mbahet në kuadër të limiteve të rëna dakord. Sistemi bankar është i shëndoshë, me nivel solidë të kapitalit dhe likuiditetit, me kredi joperformuese në nivelin më të ulët historik, si dhe kanë shënuar fitime të qëndrueshme.\"

\"Reformat strukturore në fushën e zbatimit të kontratave dhe prokurimin publik janë duke avancuar, gjë që do të ndihmojë në zhbllokimin e kredive bankare dhe do të përmirësojnë mjedisin e biznesit”, thuhet në deklaratën  e Vermeulenit. Sipas tij është kritike që ky progres të vazhdojë dhe që autoritetet t’i realizojnë të gjitha masat e mbetura për të siguruar përmbyllje të suksesshme të programit.

“Në veçanti, kjo do të kërkojë riklasifikimin e veteranëve të luftës deri në fund të muajit maj, pas shpalljes nga Presidenti të Ligjit për veteranët e luftës, me ndryshime e plotësime. Për ta ruajtur integritetin e procesit të pritur, riklasifikimi duhet të bazohet në vlerësime të besueshme të kohëzgjatjes së shërbimit të veteranëve gjatë luftës dhe ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për invalidët e luftës deri në mes të muajit maj, ashtu që kriteret për kualifikim për invaliditet të luftës të jenë në përputhje me ato të aftësisë së kufizuar civile. Harmonizimi i kritereve do të sigurojë paanshmëri dhe barazi në trajtim”, ka thënë ai.

Sipas tij këto masa do të sigurojnë që shpenzimet në skemat e përfitimeve të lidhura me luftën të jenë të qëndrueshme, duke liruar kështu hapësira për shpenzime më të larta në fusha prioritare siç janë arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura.

“Në Uashington është rënë dakord se do të jetë thelbësore që veprimet të merren brenda periudhës së paraparë kohore meqë programi do të përfundojë vetëm pas pak muajsh. Përfundimi i suksesshëm i programit do t’i përforconte rezultatet e arritura me vështirësi përgjatë dy viteve të fundit”, thuhet në deklaratën e drejtorit të Zyrës së FMN-së në Kosovë, Ruud Vermeulen.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)