FMN kërkon nga Italia uljen e deficitit publik
Romë, 13 korrik - Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar nga Italia të marrë masa të vendosura për reduktimin e borxhit shtetëror.
Deficiti buxhetor italian duhet të zbresë deri në vitin 2012 nën 3 për qind e prodhimit të brendshëm bruto, kërkoi FMN-ja në raportin e saj më të fundit për këtë vit.
Aktualisht deficiti italian kap vlerën e 4,6 për qind. Ka shenja rimëkëmbjeje të ekonomisë italiane, të nxitura këto nga ekporti, megjithatë borxhi publik mbetet tepër i lartë dhe rritja ekonomike e kufizuar, thekson FMN.
Edhe Italia në ditët e fundit u vendos në qendër të diskutimit evropian. Ministrat e Financave të BE-së ranë dakord të pengojnë me çdo kusht shtrirjen e krizës ekonomike në ekonominë e tretë më të madhe brenda Evropës.
Një samit i posaçëm i krerëve dhe kryeministrave të shteteve evropiane lidhur me përhapjen e krizës së borxheve pritet të zhvillohet brenda kësaj jave.