FMN kërkon mos ngritje të pagave të sektorit publik
Prishtinë, 22 dhjetor - Përfaqësues Rezident i FMN-së në Kosovë, Frank Lakwijk në një deklaratë për media ka thënë se konkurrueshmëria dhe drejtësia do të përkrahen më së miri duke mos i ngritur pagat e sektorit publik për herën e dytë.
Parlamenti do të diskutoj buxhetin për vitin 2015 këtë javë. Ai ka theksuar se synimi i duhur, është që të miratohet sa më shpejtë buxheti i vendit në mënyrë që të shmanget mbyllja e qeverisë në fund të Janarit.
Një dispozitë e buxhetit të vitit 2015 që ka tërhequr shumë vëmendje dhe kritikë sipas Lakwijk është vendimi për të mos i rritur pagat e sektorit publik.
Ashtu siç është e ditur, pagat e sektorit publik edhe ashtu janë rritur për 25 përqind ne Prill të këtij viti.
\"Sipas vlerësimit tonë, vendimi për mos rritjen e pagave edhe njëherë kaq shpejtë është një vendim i drejtë\", theksoi Lakwijk.
Që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, paga mesatare në sektorin publik është rritur më shumë se dyfish, rritje kjo qe sipas tij tri deri katër herë më e shpejtë se ajo në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë të njëjtës periudhë, pagat e sektorit publik janë rritur më shumë se dy herë më shpejtë se ekonomia e përgjithshme e Kosovës dhe është madhësia e përgjithshme e ekonomisë ajo që përfundimisht përcakton se çfarë mund të përballojnë qeveria dhe vendi dhe çfarë jo.
Duke shfrytëzuar sa më shumë të hyrat e vendit për pagesën e pagave, Kosova ka bërë që sipas tij të ketë më pak burime në dispozicion për arsim, për projekte të infrastrukturës dhe energjisë, për të cilat vendi ka nevojë të madhe për zhvillim.
Kjo gjithashtu sipas tij ka dëmtuar konkurrueshmerinë e cila është reflektuar edhe në eksportin edhe ashtu të limituar të Kosovës.
\"Gjithashtu, rritja e shpejtë e pagave të sektorti publik e ka privuar sektorin privat, si motorin kyç të ekonomisë, nga talenti i çmuar, meqë sektori publik tani ofron edhe siguri më të madhe të punës edhe paga më të larta në aftësi të krahasueshme.\"
\"Dhe kjo ka ngritur pikëpyetje lidhur me drejtësinë: me një situatë ku pagat dhe mëditjet zënë një pjesë gjithnjë më të madhe të buxhetit të qeverisë, nuk është për tu habitur se Kosova vazhdon ta ketë programin më të kufizuar të ndihmës sociale në rajon\", ka pohuar ai.
Lakwijk theksoi me tutje së është përgjegjësi e vendit që të vendos se si ti shfrytëzoj resurset e tij, si dhe e drejtë e posaqme e parlamentit të përcaktoj alokimet per pagat e sektorit publik.
\"Paralajmërimi që ne duam të bëjmë është se premtimi i vazhdueshëm për më shumë sesa dikush mund të përballoj nuk është mënyra e duhur për të rritur standardin e jetesës.\"
\"Më saktë, rruga drejt prosperitetit arrihet duke iu dhënë kosovarëve dhe botës besimin për të investuar kapital dhe ide në vend, dhe politikat e matura janë pjesë thelbësore e kësaj pakoje\", ka thënë në fund Lakwijk.