FMN-ja mbështet BQK-në në vlerësimin e ri të sektorit financiar
Prishtinë, 30 tetor - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka falënderuar Fondin Monetar Ndërkombëtar për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës dhe në veçanti BQK-së në realizimin e objektivit së saj primar, mbrojtjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
Në konferencën përmbyllëse të ekipit të misionit të FMN-së për Kosovën, Guvernatori Mehmeti ka dekaluar se sektori financiar po vazhdon me performancë pozitive.
“Sektori financiar vazhdon të ketë rritje të vazhdueshme dhe në këtë kontekst, nëse shohim sektorin bankar, ka shënuar rritje në të gjithë treguesit financiar, si në rritjen në kredi ku rritja në bazë vjetore është 12%, në depozita 6%, po ashtu edhe në asete 6%. Në kontekstin rregullativ, treguesit e mjaftueshmërisë së kapitalit shënojnë rritje në 16.1%, që është mbi minimumin e kërkuar rregullativ."
"Gjithashtu, raporti i likuiditetit prej 33% është mbi minimumin e kërkuar rregullativ prej 25%. Këto të dhëna tregojnë se bankat janë mirë të kapitalizuara dhe likuide. Po ashtu zhvillime pozitive kemi edhe në normën e interesit, ku norma e interesit për bizneset dhe ekonomitë familjare është 6,3%, ndërsa nëse e shohim normën e interesit vetëm për biznese është 5.35%, përderisa norma e interesit për kreditë hipotekare sillet prej 4% deri në 5%. Kjo tregon për lehtësimet që janë bërë në qasjen në financa dhe njëkohësisht të kemi edhe rritje të shkallës së ndërmjetësimit financiar."
"Zhvillime pozitive kemi edhe në sektorë të tjerë, siç janë sigurimet, pensionet, institicionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare. Edhe në takimet që i kemi pasur në vazhdimësi me Fondin Monetar Ndërkombëtar është vlerësuar lartë stabiliteti financiar dhe qëndrueshmëria financiare në Kosovë."
"Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është e sigurt se do të kemi përkrahje të vazhdueshme nga FMN-ja dhe jemi të sigurt se do të vazhdojmë bashkëpunimin e suksesshëm mes BQK-së dhe FMN-së”, ka deklaruar Guvernatori Mehmeti.
Nga ana tjetër, Stephanie Eble, udhëheqëse e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë ka premtuar mbështetje të mëtutjeshme për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe hapi i parë do të jetë vlerësimi i ri i sektorit financiar.
“Sistemi bankar i Kosovës është i qëndrueshëm dhe me mundësi përmirësimi në qasjen në kredi. Penetrimi kreditor edhe pse ende është i ulët në krahasim me rajonin, ka pasur rritje të vazhdueshme, si pasojë e lëhtësimeve të bëra me uljen e normave të interesit, garantimin e kredive përmes Fondit per Garanci Kreditore dhe me fuqizimin e zbatimit të ekzekutimit të kontratave, duke mënjanuar pengesat strukturore në kredidhënie përmes fuqizimit të Ligjit të Përmbarimit."
"Me implementimin e rekomandimeve të Bankës Botërore të Republikës së Kosovës dhe të FMN-së të vitit 2012, Kosova ka kërkuar një vlerësim të ri të sektorit financiar për të përgatitur strategjinë afatmesme të radhës, e cila pritet të fillojë të hartohet nga muaji i ardhshëm”.
Nga ana tjetër, ministri i Financave, Bedri Hamza tha se FMN-ja ka mirëpritur planet e Qeverisë për t’i dhënë prioritet rendit dhe ligjit, shëndetësisë, arsimit dhe nëse rritet buxheti për këta sektorë atëherë duhet të rritet edhe efekasiteti.
Në këtë konferencë u tha se rritja ekonomike për këtë vit, parashihet të arrijë në rreth 4% që do të jetë më e larta në rajon, kurse rritja më e lartë ekonomike do të jetë vitin e ardhshëm.