FMN-ja arrin marrëveshje të re me Kosovën
Pas përmbylljes së misionit, Jacques Miniane, shefi i Misionit për Kosovën, ka deklaruar se ky mision ka arriti marrëveshje në nivel të stafit me autoritetet lidhur me një program ekonomik, i cili do të mbështetej me një Marrëveshje Stand-By (MSB) me FMN-në, në një kohëzgjatje prej 22 muajsh.
Qasja e propozuar do të kishte gjithsej SDR (të drejta speciale të tërheqjes) prej 147.5 milionë (rreth 185 milionë), apo 250 për qind të kuotës. Marrëveshja në nivel të stafit duhet të presë aprovimin e Menaxhmentit dhe Bordit Ekzekutiv të FMN-së. Shqyrtimi nga ana e Bordit Ekzekutiv pritet të bëhet deri në fund të muajit korrik, ka theksuar ai.
Sipas tij, rritja ekonomike në Kosovë ka mbetur relativisht e fortë dhe e qëndrueshme viteve të fundit, e nxitur pjesërisht nga remitancat e larta nga diaspora.
Megjithatë, ekziston një konsensus i gjerë që nevojitet një rritje ekonomike më e lart për ti afruar të ardhurat në nivele të vendeve fqinje dhe për të siguruar vende pune të cilësisë së lartë, për të cilat Kosova ka shumë nevojë. Për ta arritur këtë, autoritetet synojnë që ti adresojnë hendeqet në infrastrukturë dhe shkathtësi, ti adresojnë kostot e larta të punës, ti heqin pengesat strukturore të kredidhënies bankare, si dhe ta forcojnë mjedisin e biznesit. Veprimet vendimtare në këto fusha do ta ndihmojnë ekonominë e Kosovës që të arrijë një rritje të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse, të nxitur nga sektori privat dhe eksportet, ka theksuar ai.
Miniane ka treguar se politikat fiskale do të kenë për qëllim që ta mbaj nivelin mesatar të deficitit përgjatë periudhës së programit brenda kufizimit të rregullës fiskale prej 2 për qind. Kjo do ta mbajë borxhin publik në nivel të ulët dhe të qëndrueshëm në periudhën afatmesme.
Rregullimet përkatëse do të bëhen me fokus që të frenohen ndikimet e vendimeve parazgjedhore të vitit të kaluar dhe të përmirësoj strukturën e buxhetit. Në veçanti, duke e mbajtur nivelin e pagave publike në vlera aktuale nominale, duke kufizuar shpenzimet në mallra dhe shërbime, si dhe duke shtuar përpjekjet për mbledhjen e të hyrave, do të krijohen hapësira të nevojshme për shpenzime prioritare të cilat nxisin rritjen ekonomike. Kombinimi i deficitit më të ulët dhe disbursimeve të fondit do të ndihmojë që Qeveria ta kthejë mbulimin e parasë së gatshme në nivel të duhur, ka theksuar ai.
Miniane ka shtuar se edhe Bankat në Kosovë janë të kapitalizuara mirë, janë likuide dhe fitimprurëse, me përmirësim të cilësisë së aseteve.
Përpjekjet e autoriteteve gjithashtu do të jenë me fokus në forcimin e mëtejshëm të sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sektorit financiar. Megjithatë, vazhdojnë të ekzistojnë disa sfida. Për shembull, pa valutë të saj, kapaciteti i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK-së) për të vepruar si huadhënës i opsionit të fundit në sistemin bankar është i kufizuar. Në këtë mënyrë, programi i ri i autoriteteve do ti japë përparësi miratimit të një kornize të re për Asistencë Emergjente të Likuiditetit (ELA), në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Ngjashëm, programi do të sigurojë aplikim të plotë të mbikëqyrjes së bazuar në rrezik në të gjitha bankat në Kosovë, gjë që do ta ndihmojë BQK-në ti identifikojë dhe trajtojë më mirë rreziqet në sektorin financiar. Gjithashtu, do të bëhen përpjekje për të zhvilluar vegla të politikave të makroprudencës në BQK dhe për ti institucionalizuar kapacitetet e autoriteteve për menaxhim të krizave, ka deklaruar Miniane.
Miniane është shprehur se reformat strukturore dhe institucionale, si dhe shpenzimet më të mëdha në infrastrukturë do të kenë për qëllim rritjen e aftësisë konkurruese të Kosovës dhe kapacitetit prodhues të saj, duke krijuar kushte për rritje më të lartë dhe më dinamike në periudhën afatmesme.
Për ta ndërtuar infrastrukturën tejet të nevojshme, autoritetet planifikojnë që ta zgjerojnë klauzolën e rregullës fiskale për investime, për të lejuar projekte kapitale të financuara nga agjencitë multilaterale dhe bilaterale të zhvillimit. Kjo do të nxisë investime në fusha prioritare, siç janë infrastruktura dhe bujqësia. Do të parashihen procese për të siguruar transparencë dhe mbikëqyrje të fortë të këtyre projekteve të mëdha. Përveç kësaj, për të siguruar se borxhet mbesin në nivel të ulët dhe të qëndrueshëm, zgjerimi i klauzolës së investimeve në rregullën fiskale do të kërkojë që miratimi i këtyre projekteve të reja të kushtëzohet me mbajtjen e borxhit të përgjithshëm publik nën 30 për qind të BPV-së, ka deklaruar Miniane, duke shtuar se përderisa bankat kanë likuiditet të mjaftueshëm, rritja e kreditimit është pozitive, por mund te jete me e larte, meqë pengesat strukturore, siç janë proceset joefikase gjyqësore dhe të mbledhjes kanë ndikim në normat e larta të kamatave (aktualisht rreth 750 bps) të cilat janë duke u ulur dhe kërkesat për hipotekë.
Në kuadër të programit, autoritetet dhe stafi i Fondit do të kërkojnë mënyra plotësuese krahas përpjekjeve që tashmë ka filluar siç janë hapat për uljen e ngarkesës së lëndëve të pazgjidhura gjyqësore dhe avancimit të përdorimit të përmbaruesve privatë për mbledhje për ti minimizuar pengesat e tilla strukturore.
Për të siguruar se rritjet e ardhshme të pagave publike janë në hap me gjendjen e ekonomisë, autoritetet do të aplikojnë një rregull të re, e cila do të lidhë rritjen e ndarjes buxhetore për paga publike me tregues makroekonomikë të cilët do të mund të monitorohen lehtësisht. Kjo gjithashtu do të sigurojë që pagat e sektorit publik janë më të përafruara me ato të sektorit privat, ka thënë Miniane.
Miniane ka bërë me dije se autoritetet kanë për qëllim që edhe me tutje të përmirësojnë mjedisin e të bërit biznes duke rritur nivelin e transparencës dhe duke krijuar kushte të barabarta për të gjithë, për të tërhequr investime vendore dhe të huaja. Në këtë kuptim, autoritetet do të bëjnë hapa drejt prokurimit të centralizuar dhe e-prokurimit në qeveri, të cilat do të përmirësojnë mbikëqyrjen dhe kontrollin e sistemit të prokurimit, ka theksuar Miniane.
Pas 10 ditë diskutimeve me ekipin e FMN-së përfundimisht kemi arritur në një konkluzion për një program të mundshëm të Kosovës me FMN-në për një periudhë 22 mujore, i cili program i akomodon në tërësi nevojat që ka shteti i Kosovës, ekonomia e Kosovës për të ofruar mundësi zhvillimi për të ardhmen ka thënë ministri Avdullah Hoti në konferencën e sotme për media, me rastin e përfundimit të vizitës së delegacionit të Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të kryesuar nga z. Jacques Miniane.
Ministri Hoti theksoi se është ndër programet e rralla të FMN-së që bëhet me një vend që nuk ka probleme financiare, probleme fiskale, por që është program i cili akomodon nevojat zhvillimore që ka vendi.
Kemi dizajnuar një program që në pikat e përgjithshme i adreson nevojat tona. Ndërsa çështja madhore që është brenda këtij programi është pajtimi që ne kemi arritur për të ndryshuar rregullën fiskale sa i përket deficitit buxhetor. Normalisht, duke e mbajtur këtë rregull fiskale për shpenzimet e rregullta buxhetore, por duke lejuar që përtej kësaj rregulle fiskale ne si vend i ri, një ekonomi në zhvillim me plotë nevoja të hyjmë në marrëveshje ndërkombëtare për të financuar projekte zhvillimore që i nevojiten Kosovës për të përmbushur nevojat dhe për të çliruar potenciale zhvillimore për të ardhmen, shtoi Hoti.
Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se Jemi pajtuar në terma të përgjithshëm për rishikimin e buxhetit të vitit 2015, jemi pajtuar për përbërjen e buxhetit të rishikuar për këtë vit, në terma të përgjithshëm jemi pajtuar edhe për buxhetin e vitit 2016. Por, ato normalisht do të diskutohen me kohë në vjeshtë të këtij viti. Buxheti i rishikuar për vitin 2015 dhe buxheti preliminar për vitin 2016 mundëson që ne të vazhdojmë me projektet që i kemi në vijim e sipër, si dhe të hapim mundësi të reja zhvillimore.
Jemi pajtuar bashkë me FMN-në që të ndërmarrim një listë të gjatë të reformave strukturore që i nevojiten Qeverisë dhe i nevojiten ekonomisë së Kosovës për të rritur efikasitetin e shfrytëzimit të parasë publike dhe për të rritur transparencën në veçanti. Disa prej këtyre reformave strukturore është Ligji i pagave, dhe jemi pajtuar aty që pagat në të ardhmen do të përcaktohen me një rregull të qartë, me një formulë të qartë që të lidh pagat në sektorin publik me një indikator të produktivitetit të pagave, përgjegjësisht me rritjen nominale të GDP-së, me pagën në sektorin privat, me normën e inflacionit dhe me indikator të tjerë shtoi Hoti.
Ai gjithashtu tha se janë pajtuar për strukturën e buxhetit sa i përket shpenzimeve koherente dhe shpenzimeve kapitale, për të rritur pjesëmarrjen e shpenzimeve kapitale në strukturë të buxhetit.
Ju e dini që borxhi publik i Kosovës është mjaft i ulët, është rreth 10 % i GDP-së dhe kjo na krijon hapësirë të mjaftueshme që ne të hyjmë në kredi ndërkombëtare në kushte të favorshme për të mundësuar zbatimin dhe implementimin e plotë të disa projekteve që kjo Qeveri i ka bërë të ditura tash e sa kohë, siç janë projektet në fushën e bujqësisë, të ujitjes së tokave, të infrastrukturës hekurudhore dhe rrugore, dhe projekte të tjera në arsim dhe në shëndetësi, ka thënë Ministri Hoti.
Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se Programi me Fondin Monetar Ndërkombëtar si tërësi është në linjë me programin qeverisës dhe tash me Strategjinë Zhvillimore të cilën sapo kemi filluar ta përgatitim. Programi ka vendos disa indikator të përcjelljes të aktiviteteve në sektorin publik që neve do të na ndihmojnë për të dërguar përpara agjendën qeveritare, p.sh. implementimi i sistemit të plotë të prokurimit elektronik në fund të këtij vitit dhe përfundimisht me fillim të vitit 2016 dhe rritja e prokurimeve të centralizuara në kuadër të prokurimeve të përgjithshme që bënë Qeveria do të na ndihmojë shumë që ne të rrisim efikasitetin e shfrytëzimit të parasë publike.
Programi përfshinë një mbështetje financiare që do të merr buxheti i Kosovës për të mbushur bilancin bankar në mënyrë që ne të kemi siguri të mjaftueshme në financat publike dhe mbi këtë bazë të kemi mundësi të hyjmë në projekte zhvillimore, ka thënë Hoti .
Ndersa Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza, tha se pas disa ditëve punë intensive shumë profesionale dhe konstruktive kemi arritur që të finalizojmë suksesshëm negociatat për një program të ri me FMN-në për çka e falënderoj shefin e Misionit dhe ekipin e FMN-së dhe ekipin e ekspertëve vendorë për një punë të palodhshme dhe shumë profesionale me një rezultat pozitiv që sot ne ti mbyllim suksesshëm këto negociata, që tash ky program pritet të kaloj në fazat tjera të aprovimit në instancat e FMN-së.
Sektori bankar është mirë i kapitalizuar, është likuid me trende pozitive të zhvillimit, kemi rritje të aseteve, rritje të depozitave, rritje të kreditimit, kemi zvogëlim të normave të interesit, edhe pse gjithmonë ne e themi se ende ka hapësirë që këto norma të interesit të jenë edhe më të ulëta. Programi gjithashtu i adreson edhe disa sfida, kemi disa obligime që ne duhet në të ardhmen të merremi me to. Kemi të bëjmë me përmirësimin e bazës legale sa i përket rezervës emergjente të likuiditetit, avancimin e mbikëqyrjes të bazuar në riskë, çështjet makroprudensiale dhe gjithsesi me adresimin e reformave që kanë të bëjnë me sektorin e drejtësisë dhe me ngritjen e efikasitetit të gjyqësorit, ka shtuar guvernatori Hamza.