FMN: Greqisë mund t`i nevojiten mbi 20 miliardë dollarë

Athinë, 3 shkurt - Ekspertë financiarë kanë arritur në përfundimin se Greqisë mund t`i nevojitet një shtim likuiditeti prej 20 miliardë dollarësh, edhe nëse negociatat me huadhënësit e saj privatë, për të përgjysmuar shumën e parave që ajo u detyrohet atyre, do të përfundonin me një marrëveshje.
Prej disa javësh, qeveria e Athinës po përpiqet të mbyllë negociatat me 32 institute financiare të mëdha për të shkurtuar 130 miliardë dollarë të borxhit të saj.
Objektivi që kërkohet të arrihet është shkurtimi i borxhit të Greqisë në mënyrë që në vitet e ardhshme të përbënte jo më shumë se 120 për qind të prodhimit vjetor të vendit.
Por zyrtarë evropianë të FMN-së arritën këtë javë në përfundimin se edhe nëse huadhënësit privatë pranojnë humbje që do të ishin edhe më tepër se dy të tretat e shumës që i kanë dhënë Greqisë, kjo nuk do të mjaftonte për të rikthyer vendin në një rrugë të qëndrueshme ekonomike.