FMN: Ballkani Perëndimor ende me probleme serioze
Uashington, 17 tetor - Ashtu si në rajone të tjera të ekonomive në zhvillim, tregjet financiare në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, kanë qenë nën presion që nga pranvera, vlerësoi Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e tij të fundit për situatën ekonomike në këtë rajon.
Sipas raportit, vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Maqedoninë dhe Serbinë, përballen me probleme serioze në tregjet e tyre të punës.
Normat e ulëta të punësimit reflektojnë normat e ulëta të aktivitetit dhe normat e larta të papunësisë.
Ky është një shqetësim i madh social dhe sfidë për politikbërësit, pasi shkalla e lartë e papunësisë e kufizon akumulimin e kapitalit njerëzor dhe e rritë varësinë nga ndihma sociale, thuhet në raport.
Më tutje theksohet se Evropa Qendrore, Lindore dhe Juglindore, po fillon të dalë nga rënia e dytë në katër vjet, duke përfituar nga rritja në zonën e euros.
Por, hapësira për të ndërmarrë politika kundërciklike është e kufizuar në mjaft vende, pasi deficitet fiskale janë ende të larta, borxhi publik është në një trend rritës dhe presionet në kursin e këmbimit mund ti kufizojnë hapësirat e politikës monetare.