23 Dhjetor 2024

Flukset e remitancave shënojnë rritje të fuqishme prej 7.1 për qind në vitin 2021

Washington, 17 nëntor - Remitancat drejt vendeve me të hyra të ulëta dhe të mesme pritet të jenë rritur për 7.1 për qind, duke kapur vlerën prej 587 miliardë dollarësh amerikanë në vitin 2021.  

Sipas vlerësimeve nga Përmbledhja e Bankës Botërore për Migrimin dhe Zhvillimin e publikuar sot, ky kthim në rritje është më i fuqishëm se vlerësimet më të hershme dhe vjen në vazhdën e reziliencës së flukseve në vitin 2020, kur remitancat ranë për vetëm 1.9 për qind, përkundër recesionit të rëndë global për shkak të COVID-19.

Për të dytin vit radhazi, flukset e remitancave drejt vendeve me të hyra të ulëta dhe të mesme (përjashtuar Kinën) pritet ta tejkalojnë shumën e investimeve të huaja direkte (IHD) dhe të ndihmës së huaj zhvillimore.

Kjo nënvizon rëndësinë e remitancave si mjet shpëtimi me rëndësi kritike, sepse ato mbështesin shpenzimet e amvisërive për artikuj esencialë, si ushqimi, shëndeti dhe arsimi, gjatë periudhave të vështirësive ekonomike në vendet e origjinës së migrantëve.

“Flukset e remitancave nga emigrantët u janë shtuar bindshëm programeve për transfere të parave të gatshme të zbatuara nga qeveritë si mbështetje për amvisëritë që vuajnë nga vështirësitë ekonomike gjatë krizës së COVID-19."

" Lehtësimi i fluksit të remitancave për sigurimin e ndihmës për buxhetet e rënduara të amvisërive duhet të jetë komponent kyç i politikave të qeverive për mbështetjen e rimëkëmbjes globale nga pandemia”, u shpreh Michal Rutkowski, Drejtori Global i Bankës Botërore për Mbrojtjen Sociale dhe Vendet e Punës.

Faktorët që kontribuojnë në rritjen e fortë të remitancave janë vendosmëria e migrantëve për t’i mbështetur familjet e tyre në kohë nevoje, ndihma e siguruar nga stimujt fiskalë dhe programet për mbështetje të punësimit të zbatuara në vendet e destinacionit, të cilat e kanë mbështetur aktivitetin ekonomik.

Në vendet arabe të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit Persik dhe në Rusi, rimëkëmbja e remitancave dalëse u lehtësua edhe nga rritja e çmimeve të naftës dhe ringritja pasuese e aktivitetit ekonomik.

Remitancat shënuan rritje të fortë në shumicën e rajoneve. Flukset u rritën për 21.7 për qind në Amerikën Latine dhe Karaibe, 6 për qind në Evropë dhe Azinë Qendrore, 7.7 për qind në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, 8 për qind në Azinë Jugore, dhe 4.6 për qind në Afrikën Sub-Sahariane.

Në Azinë Lindore dhe Paqësor, remitancat ranë për 3.8 për qind, por nëse përjashtohet Kina, remitancat shënuan rritje prej 1.7 për qind në rajon.

Në Amerikën Latine dhe Karaibe rritja ishte jashtëzakonisht e fortë për shkak të rimëkëmbjes ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe faktorëve shtesë, përfshirë reagimet e migrantëve ndaj fatkeqësive natyrore në vendet e tyre të origjinës dhe remitancat e dërguara nga vendet e origjinës për migrantët në tranzit.

Në tremujorin e parë të vitit 2021, kostot për dërgesa ndërkombëtare të vlerave prej 200 dollarësh amerikanë vazhduan të ishin tepër të larta, duke kapur mesatarisht vlerën prej 6.4 për qind të shumës së transferuar, sipas bazës së të dhënave të Bankës Botërore për çmimet e remitancave në mbarë botën.

Kjo vlerë është më shumë se dyfishi i cakut prej 3 për qind deri në vitin 2030 të Objektivit të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Dërgimi i parave kushton më së shumti në Afrikën Sub-Sahariane (mbi 8 për qind) dhe më së pakti në Azinë Jugore (4.6 për qind).

Të dhënat tregojnë se kostot priren të jenë më të larta kur transferet bëhen përmes bankave sesa përmes kanaleve digjitale ose përmes transferuesve të parave që ofrojnë shërbime në para të gatshme.

“Rimëkëmbja e flukseve të remitancave është lajm i mirëpritur. Ndikimi i krizës në flukset e remitancave ishte i thellë, por fatmirësisht i shkurtër. Ruajtja e rrjedhës së remitancave, veçanërisht përmes kanaleve digjitale, ka si kërkesë kyçe sigurimin e qasjes në llogari bankare për migrantët dhe ofruesit e shërbimeve të remitancave."

"Edhe përgjigjet e politikave duhet të vazhdojnë të jenë gjithëpërfshirëse për migrantët, veçanërisht në fushat e qasjes në kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjes nga pagesat nën nivelin e tregut,” u shpreh Dilip Ratha, autori drejtues i Përmbledhjes dhe kreu i KNOMAD.

Remitancat pritet të vazhdojnë të rriten për 2.6 për qind në vitin 2022 në përputhje me parashikimet makroekonomike.

Rikthimi i rasteve të COVID-19 dhe rivendosja e kufizimeve ndaj lëvizshmërisë përbëjnë riskun më të madh negativ ndaj perspektivës për rritjen globale, punësimin dhe flukset e remitancave në vendet në zhvillim.

 Teksa ekonomitë rimëkëmben, flukset e remitancave mund të zvogëlohen edhe nga mbyllja e programeve për stimuj fiskalë dhe për mbështetjen e punësimit.

Trendet Rajonale të Remitancave

Pas rënies për 9.2 për qind në vitin 2020, flukset e remitancave në Evropë dhe Azinë Qendrore pritet të jenë rritur për 6 për qind, duke kapur vlerën prej 67 miliardë dollarësh amerikanë në vitin 2021, për shkak të aktivitetit më të fortë ekonomik në Bashkimin Evropian dhe rritjes së çmimeve të energjisë.

Remitancat pritet të rriten për 3 për qind në vitin 2022. Remitancat janë aktualisht burimi më i madh i financimit të jashtëm në rajon.

Flukset hyrëse kanë qenë më të larta ose të barabarta me shumën e investimeve të huaja direkte, investimeve të portofolit dhe ndihmës zyrtare zhvillimore në vitet 2020 dhe 2021. Si pjesë e BPV-së, remitancat në Republikën e Kirgistanit dhe Taxhikistanit kapin vlerën mbi 30 për qind.

Kostot e remitancave: Kostot mesatare për dërgimin e 200 dollarëve amerikanë në rajon kanë pësuar rritje, duke kapur vlerën prej 6.6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2021, nga vlera prej 6.5 për qind një vit më parë, duke reflektuar kryesisht rritjen e mprehtë të kostove në korridorin Turqi-Bullgari.

Rusia është një nga dërguesit me kosto më të ulëta në rang global, me kosto që nga 1.8 për qind kanë rënë në 1 për qind.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)