FKGK publikoi raportin në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike
Prishtinë, 27 janar - Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), organizoi tryezën virtuale “Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike: Rezultati dhe Impakti” me ç'rast prezantoi raportin përmbledhës të dritareve të FKGK-së në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike (PRE).
Një nga masat kryesore që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë me Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike ishte edhe lehtësimi i qasjes në financim ku Fondi Kosovar për Garanci Kreditore në këtë masë mori përgjegjësinë për të ndihmuar sektorin e NMVM-ve me krijimin e produkteve garantuese të cilat do t’i përgjigjeshin vazhdimësisë së kredidhënies për NMVM-të, në mënyrë që të përmbushej nevoja për likuiditet dhe financim të investimeve.
FKGK po ashtu ka ndihmuar Qeverinë në dizajnimin e kësaj mase, për të luftuar krizën e shkaktuar nga Covid-19.
Në këtë drejtim, FKGK dizajnoi Dritaret për sektorë dhe segmente të veçanta, përpiloi marrëveshjet e garancisë, modifikoi sistemin informativ të menaxhimit dhe mbajti të informuar institucionet financiare partnere lidhur me risitë që do të sillte Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike.
FKGK përmes skemës garantuese mbuloi deri 80% të shumës së kredisë.
Më këtë tryezë, rezultatet e PRE-së u prezantuan nga Besnik Berisha - Dejtor Menaxhues dhe Nora Arifi - Menaxhere e Lartë për Garanci Kreditore në FKGK.
FKGK në saje të ndërmjetësimit përmes Dritareve të PRE-së, gjatë vitit 2021 mundësoi një kredidhënie në sektor me vlerë prej 105.55 milionë euro, të shpërndara në 2,015 kredi për 1,720 NMVM, të mbështetura me garanci në vlerë prej 74.94 milionë euro.
Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës: Ahmet Ismajli - Drejtor në Thesarin e Kosovës , Blerim Terziqi - Këshilltar i Lartë i Guvernatorit nga BQK - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës; Petrit Balija - Kryeshef Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave si dhe përfaqësues të Institucioneve Financiare.
Gjithashtu, në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues nga organizatat donatore: Banka Botërore; KfW - Banka Gjermane për Zhvillim, SIDA, dhe USAID.
Të gjithë folësit e tjerë, falënderuan Fondin Kosovar për Garanci Kreditore për kontributin dhe punën e bërë në kuadër të PRE-së meqenëse shumë biznese përfituan dhe kishin lehtësime në qasjen për financim pikërisht duke u falënderuar skemave garantuese dhe dritareve të dizajnuara në kuadër të PRE-së.