Fitch ka ulur vlerësimin për Italinë
Romë, 9 mars - Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Fitch ka ulur vlerësimin për Italinë, për shkak të pasigurive politike që kanë shkaktuar zgjedhjet parlamentare.
Fitch ka degraduar këtë vend nga niveli A- në BBB+, duke përmendur si arsye rezultatet jopërfundimtare të zgjedhjeve të 24 dhe 25 shkurtit.
Agjencia ka thënë se duket i pamundur formimi i një qeverie të qëndrushme në javët e ardhshme.
Fitch po ashtu ka parashikuar se ekonomia e Italisë - e cila është njëra nga dhjetë ekonomitë më të mëdha të botës dhe që është goditur rëndë nga recesioni - do të tkurret për 1.8 për qind në këtë vit.
Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Itali nuk kanë treguar se ndonjë parti apo koalicion mund të formojë qeverinë.
Koalicioni i qendrës së djathtë ka fituar Dhomën e Ulët, por jo edhe kontrollin e Senatit.