First Citizens Bank blen depozitat dhe huatë e Silicon Valley Bank
New York, 27 mars - First Citizens Bank ka rënë dakord të blejë depozitat dhe huatë e Silicon Valley Bank (SVB), njoftoi Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave (FDIC).
Shtatëmbëdhjetë filialet e dikurshme të SVB-së do të hapen si First–Citizens Bank & Trust Company të hënën, thuhet në deklaratën e FDIC.
Sipas deklaratës, SVB kishte rreth 167 miliardë dollarë asete në total dhe rreth 119 miliardë dollarë depozita në total që nga 10 marsi, duke shtuar se First Citizens Bank do të blejë rreth 72 miliardë dollarë të aseteve të SVB-së me një zbritje prej 16,5 miliardë dollarësh.
"Përafërsisht 90 miliardë dollarë në letra me vlerë dhe asete të tjera do të mbeten për likuidim në disponim të FDIC-së", thotë deklarata.
"Përveç kësaj, FDIC mori të drejtën e rritjes të kapitalit në First Citizens BancShares, Inc., Raleigh, Karolina e Veriut dhe aksione të zakonshme me një vlerë potenciale deri në 500 milionë dollarë", shton më tej deklarata.
Në fillim të këtij muaji, SVB shiti portofolin e saj të obligacioneve me vlerë 21 miliardë dollarë me një humbje prej 1,8 miliard dollarësh për të përmbushur kërkesën e klientëve të saj për para. Më pas rregullatorët federalë ndërhynë dhe mbyllën bankën.