Firma greke heq nga puna 140 punonjës që kërkuan pagat
Tiranë, 25 shkurt - Rreth 140 punëtorë të firmës greke të ndërtimit AEGEK, që merret me ndërtimin e aksit të jugut Levan-Tepelenë, janë pushuar nga puna. Shkaku, sipas tyre, ka qenë ngritja e zërit dhe protestat e zhvilluara në muajin nëntor-dhjetor, për të kërkuar pagat e prapambetura.
Drejtuesit e firmës greke AEGEK, e cila është larguar nga Shqipëria për probleme financiare, ia deleguan këtë përgjegjësi firmës nënkontraktore shqiptare.
Në këto kushte, punonjësit ngelen në mes të rrugës dhe pa marrë rrogat e prapambetura për gjashtë muaj radhazi.
Kontaktet e punonjësve me autoritetet shtetërore kanë munguar me dëshirën e këtyre të fundit, por, nga ana e vet, punonjësit kërkojnë ndër të tjera kontakt me deputetët e zonës, të cilët janë ministra në kabinetin qeveritar.
Punëtorët kërkojnë shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që i ka firma greke. Kjo e fundit u detyrohet të 140 punonjësve, kryesisht shoferë, manovratorë dhe prapavija, një shumë gati 90 milionë lekë të vjetra, çka për ta është buka e gojës.
Vetë punëtorët kanë kërcënuar, përveçse me përshkallëzimin e protestave, por edhe me braktisjen e procesit zgjedhor, duke bojkotuar ata dhe familjet e tyre zgjedhjet e 23 qershorit.