FIQ hap konkursin për Biznes Plane - Të gjelbërta dhe Inovative
Prishtinë, 8 qershor - Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) organizon për herë të gjashtë konkursin kombëtar për Biznes Plane - Të gjelbërta dhe Inovative.
Ky projekt synon të identifikojë ndërmarrës të rinj në Kosovë të cilëve i ofron përkrahje, trajnime, mentorim, dhe mbështetje financiare fillestare përmes granteve nga donatorë dhe filantrop për idetë e tyre të biznesit. Idetë fituese mund të përfitojnë grante në vlerë prej 5,000 EUR në nivel vendi dhe 10,000 USD në nivel rajonal.
Objektivi kryesor i këtij projekti është identifikimi dhe mbështetja e biznes planeve që kanë potencial të lartë për sukses, ndikojnë në mënyrë të ndjeshme në zhvillimet sociale, mjedisore dhe ekonomike të një komuniteti të veçantë, apo një grupi më të gjerë komuniteti, me synimin final të realizimit të një zhvillimi të qëndrueshëm të biznesit në vend.
Një ndër sfidat më të mëdha për ekonomitë e sotme mbetet gjetja e formave të reja dhe inovative të organizimit dhe angazhimit të komuniteteve lokale me qëllim sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm, reduktimin e impaktit negativ në mjedis duke realizuar për rrjedhojë një shpërndarje më të drejtë të përfitimeve.
Në këtë kuadër gjykohet se, idetë dhe ekonomia e gjelbërt luajnë një rol pozitiv në motivimin, identifikimin dhe mobilizimin e burimeve me qëllim adresimin në mënyrë strategjike të çështjeve, që kanë të bëjnë me përtëritjen e mënyrave tradicionale të prodhimit dhe zhvillimit të tregjeve lokale.
Afati për aplikim është deri me 10 qershor ndërkaq qe aplikimi mund te behet online ne : www.fiqgrante.com.
Komisioni Përzgjedhës do të përzgjedhë 3 (tre) idetë më të mira të cilat do të konkurrojnë në forumin Zhvillimi i Filantropisë në Ballkanin Perëndimor 2017, konkurs rajonal i organizuar nga Fondacioni i Vëllezërve Rockefeller në Korrik 2017.