FINCA nënshkroi marrëveshje me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë
Prishtinë, 12 dhjetor - Institucioni mikrofinanciar FINCA Kosovë, degë e FINCA International, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Ceremonia e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje është realizuar në zyrën qendrore të FINCA Kosovës.
Kjo marrëveshje përfshin bashkëpunimin reciprok në mes të AZHB-së dhe FINCA-së në sektorin e bujqësisë. Me këtë marrëveshje mundësohet bashkërendimi i aktiviteteve të ndërsjella në sektorin agrar dhe realizimi i aktiviteteve tjera të nevojshme të kësaj fushe.
Po ashtu do të shkëmbehen informacione lidhur me veprimtaritë dhe shërbimet e AZHB-së dhe FINCA Kosovës për sektorin e bujqësisë.
Që nga viti 2000, kur FINCA nisi veprimtarinë në Kosovë, ky institucion mikrofinanciar e ka konsideruar sektorin e bujqësisë si më të rëndësishëm dhe gjithmonë është munduar të krijojë dhe adaptojë produktet e saj me kërkesat dhe nevojat e fermerëve vendorë.
Në kuadër të misionit të vet, FINCA Kosovë angazhohet që ti ofrojë shërbime financiare sipërmarrësve me të ardhura më të ulëta në mënyrë që ata të mund të krijojnë vende pune, të krijojnë pasuri dhe të përmirësojnë standardin e tyre jetësor.
Me këtë marrëveshje bujqit dhe operatorët ekonomik të angazhuar në sektorin e bujqësisë do të kenë përkrahje më të madhe financiare dhe zhvillim më të favorshëm të këtij sektori.
FINCA është institucion ndërkombetar amerikan me seli në Uashington DC, SHBA dhe vepron në 21 shtete të botës, respektivisht në 5 kontinente të ndryshme. FINCA International ofron shërbime për afër një milion klientë në mbarë botën.