Finalizohen 16 projekte pjesë e Kosova e Bukur
Prishtinë, 3 tetor - Zyra e BE-së në Kosovë, bashkë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM), përmes programit të BE-së Kosova e Bukur ka finalizuar 16 projekte në 10 komuna të Kosovës.
Këto projekte ishin projekte të vogla dhe të mesme të rindërtimit dhe renovimit në komunat e Kamenicës, Gjakovës, Vushtrrisë, Skënderajt, Suharekës, Graçanicës, Leposaviçit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore.
Vlera e përgjithshme e projekteve të inauguruara është rreth 1,492,760.19 euro, ku një pjesë e madhe e granteve janë dhuruar nga Bashkimi Evropian, ndërsa komunat kanë qenë pjesëmarrëse me rreth 116,634.80 euro.
Përmes këtyre 16 projekteve, disa prej të cilave kanë siguruar 700 vende të reja pune, ku 526 vende janë regjistruar si punësime afatgjata në Qendrat përkatëse të Punësimit në kuadër të Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale, përfshirë këtu 144 të rinj, 28 gra, 13 persona me aftësi të kufizuara dhe 191 minoritete.
Përveç këtyre, përmes implementimit të këtyre 16 projekteve, 10 punësime afatgjata janë krijuar në kuadër të kompanisë Univers e cila ka implementuar tri projekte në komunat e Leposaviçit, Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore.
Qëllimi i projektit të BE-së Kosova e Bukur (BE-KB) është të identifikojë projektet e vogla dhe të mesme në komunat që kanë për synim krijimin e vendeve të punës, veçanërisht për të rinjtë dhe për grupet e margjinalizuara.
Në të njëjtën kohë, projektet e EU KB kanë kontribuuar në ndryshim të konsiderueshëm të mjedisit, duke i shndërruar vendet e mbeturinave në parqe të mrekullueshme, duke ndërtuar shëtitore, sheshe; kopshte lojërash dhe fëmijësh.
Në të dy thirrjet për propozime komunat e Kosovës kanë përfituar rreth 3.8 milion euro prej fondeve të BE-së.