07 Nëntor 2024

Fillon zbatimi i Ligjit që siguron përkrahje financiare për personat me aftësi të kufizuara

Prishtinë, 18 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bashkë me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, vizitoi Shoqatën HandiKOS, ku u prit nga drejtuesit dhe anëtarët e Shoqatës.

Kryeministri Mustafa dhe ministri Abrashi bënë të ditur nisjen e implementimit të Ligjit mbi statusin dhe të drejtat e personave tetraplegjikë dhe paraplegjikë, i cili do të ofrojë përkrahje financiare dhe do të ngritë ndjeshëm mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre, në Kosovë.

Nga e hëna, personat me aftësi të kufizuara, personat tetraplegjikë dhe paraplegjikë mund të aplikojnë për të drejtat që iu takojnë, beneficion financiar (pension), duke u bazuar në këtë Ligj.  

Me këtë rast, kryeministri Mustafa tha se Qeveria e Kosovës ka bërë përpjekje të gjej zgjidhje të cilat kryesisht kanë qenë afatshkurtra.

“Mirëpo është mirë që kemi arritur që përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Qeverisë të përgatisim Ligjin ta aprovojmë atë dhe tash të fillojmë zbatimin e tij. Unë shoh që me zbatimin e këtij Ligji ju do t’i realizoni të drejtat e juaja që ju kanë takuar edhe më parë”, tha kryeministri.

Duke shprehur përkushtimin për sigurimin e gjitha të drejtave që i meritojnë dhe që duhet t’i kenë, kryeministri Mustafa tha po ashtu se do të bëhen përpjekje maksimale që kërkesat e HandiKOS-it të trajtohen në mënyrën më të mirë dhe sa më shpejtë, duke ftuar personat me aftësi të kufizuara që nga e hëna t’i bëjnë aplikimet dhe të sigurojnë pensionet që iu takojnë.

“Të filloni sa më shpejt t’i gëzoni pensionet dhe këtë të drejtë ta realizojmë, por gjithsesi duke pas parasysh se ne do të mundohemi që edhe në fusha të tjera t’ju ndihmojmë dhe t’u përkrahim. Ju siguroj se me prioritet do të trajtoheni, sepse e meritoni ju, e meritojnë edhe personat tjerë me aftësi të kufizuara”, tha kryeministri Mustafa duke bërë të ditur se do të bëhen përpjekje që të hapen mundësi edhe të angazhimit të personave me aftësi të kufizuara në fusha të ndryshme ku mund të japin kontribut për vendin.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, duke falënderuar  Shoqatën  HandiKOS për bashkëpunimin e vazhdueshëm, tha se kjo është një ditë e madhe për gjithë shoqërinë kosovare.

“Statusi dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, por edhe të gjithë personat me aftësi të kufizuara, sot ngrihen me një dimension më të lartë, ku institucionet e Kosovës marrin një barrë më të madhe të përkujdesjes për këtë kategori dhe kjo para së gjithash tregon një nivel më të lartë të vetëdijes dhe zhvillimit të shoqërisë sonë”, tha ministri Abrashi.

Ministri Abrashi tha, po ashtu, se puna e bërë përmes projekteve të ndryshme, qoftë në riparimin e karrocave apo ato të rehabilitimit, sot hapet në mënyrë ceremoniale, ngase nga dita e hënë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale pret aplikacionet e para nga personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë që të aplikojnë për pensionin e merituar tash e një kohë të gjatë.

“Gjatë këtyre muajve dhe viteve kemi punuar shumë në udhëzimet administrative. Kemi ndarë edhe një buxhet, i cili është diku rreth 3.5 milionë euro për këtë vit. Mendoj se është një fillim i mirë për këtë kategori, të cilët e kanë merituar dhe tani po konkretizohet falë qeverisjes së mirë. I kemi shkurtuar shpenzimet në shumë hapësira tjera, është ngritë buxheti dhe ka mundësi buxhetore edhe për këtë kategori. Por, nuk do të ndalemi vetëm me këtë. Po punojmë edhe në një koncept dokument më të gjerë, që i prek të gjithë personat me aftësi të kufizuara. Po mendojmë edhe për të tjerët”, tha ministri Abrashi, duke theksuar se edhe Ligji për Ndërmarrje Sociale sjellë benificione shtesë për këto kategori të cilët dalëngadalë do ta gjejnë vendin e merituar në shoqërinë kosovare.

Drejtori i Shoqatës HandiKOS, Afrim Maliqi, falënderoi kryeministrin Mustafa dhe Qeverinë e Kosovës për punën e bërë në Ligjin mbi statusin dhe të drejtat e personave tetraplegjikë dhe paraplegjikë, i cili do të ngritë mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre në Kosovë.

“Sot, ndihemi mirë për shkak se e kemi një informatë që do të na jepet që ka të bëjë me Ligjin për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Para tri viteve kryeministri në këtë objekt këtu ka përmendur se nëse vjen në Qeveri këtë Ligj do ta konsideroj me seriozitetin më të madh dhe kjo ndodhi. Andaj z. Kryeministër u jemi shumë mirënjohës juve, ministrit Abrashi, Ministrisë së Shëndetësisë dhe gjithë Qeverisë për bashkëpunimin që kemi pasur deri tash dhe që ju e keni marrë me prioritet çështjen e aftësive të kufizuara, në veçanti grupin e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, i cili llogaritet si grupi më i rrezikuar në mesin e personave me aftësi të kufizuara”, tha Maliqi.

Gjatë vizitës, kryeministri Mustafa pa nga afër edhe ambientet e HandiKOS-it, dhe punishten në të cilën bëhet montimi i karrocave me pajisjet të cilat dhurohen si donacion nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)