Fillon rianketimi i pronave të paluajtshme në Kosovë
Prishtinë, 12 korrik - Ministria e Ekonomisë dhe Financave - Departamenti i Tatimit në Pronë, njofton se së shpejti do të filloj të implementoj projektin e rianketimit të pronave ekzistuese, i cili do të filloj gjatë muajit korrik 2010 dhe do të përfundoj në gjashtë mujorin e parë të vitit 2011.
Me ligjin për Tatimin mbi pronën e paluajtshme në Kosovë 2003/29 është paraparë që komunat të shqyrtojnë dhe të përcjellin vlerën e tregut të çdo prone që është nën juridiksionin e tyre për çdo tre ose pesë vjet. Për këtë arsyeje do të bëhet mbledhja e informatave shtesë të kualitetit të pronave ekzistuese, në mënyrë që tatimi në pronë të jetë më i drejtë.
Qëllimi i projektit është: verifikimi dhe përmirësimi i të dhënave të përdorimit të pronave; identifikimi i pronave të reja; ndërtimi i një modeli të ri të vlerësimit të pronave i bazuar në kritere dhe kualitet.
Gjatë procesit të rianketimit do të mblidhen të dhëna e nevojshme për përcaktimin e vlerës së pronës, në mënyrë që tatimpaguesve të ju dërgohet fatura me vlerë të re në vitet vijuese.
Përmes inspektimit të pronave nga jashtë do të mblidhen të dhënat e kualitetit të objektit dhe do të përfshihen të dhënat e karakteristikave të jashtme siç janë: materiali ndërtimor, kualiteti i ndërtimit, fasadën, formën e kulmit, materialin e kulmit, madhësia e pronës, përdorimi i saj, qasja në rrugë nga prona e juaj etj.
Rianketimi do të bëhet sipas regjioneve me këtë radhitje:
Regjioni i Prishtinës me përjashtim të qytetit të Prishtinës (Gllogoc, Lipjan, Obiliq, Podujevë, Graçanicë).
Regjioni i Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj).
Prishtinë
Regjioni i Prizrenit (Prizren, Mamushë, Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash).
Regjioni i Pejës (Pejë, Deçan, Istog, Klinë, Junik, Gjakovë).
Regjioni i Gjilanit (Gjilan, Ferizaj, Viti, Shtërpcë, Novobërdë, Kamenicë, Kaçanik, Hani i Elezit, Ranillug, Kllokot).
Rianketimi fillimisht është testuar në komunën e Shtimes dhe Fushë Kosovës si pilot-projekt dhe tani janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të evituar çdo problem të mundshëm.
Projekti i rianketimit financohet nga MEF-i dhe SIDA Suedeze