Fillon punën Oda Ekonomike Zvicër - Kosovë
Bern, 20 qershor - Në prani të shumë biznesmenëve dhe bashkëatdhetarëve, në Bern të Zvicrës, u inaugurua Oda Ekonomike Zvicër-Kosovë.
Zëvendëskryeministri i parë Bexhet Pacolli përshendeti fillimin e punës së Odës dhe ftoi biznesmenët zvicrran dhe kosovar që veprojnë në Zvicër që të investojnë në Kosovë.
Kosova po bën punë të mirë në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes. Bizneset zvicrane është mirë të investojnë në Kosovë për shkak të shumë arsyeve. Unë posaçërisht ju ftoj që të investoni në Kosovë në fushën e industrisë precize ku Zvicra është një nga vendet liderë në botë. Ne në Kosovë mund të kryejmë shumë punë për kompanitë tuaja, lirë dhe mirë tha Pacolli.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila foli për rëndësinë e odave në promovimin e investimeve në Kosovë si dhe reformat e vazhdueshme ekonomike.
Oda Ekonomike Zvicër-Kosovë është tejet e rëndësishme për faktin se do të përfaqësojë edhe biznesmenët e diasporës tonë në Zvicër. Diaspora është fuqia më e madhe investuese që ka sot Kosova sepse shumica e investimeve në Kosovë ende vijnë nga kjo pjesë e kosovarëve. Diaspora është pjesë e rëndësishme e ekonomisë tonë ku mesatarja e remitencave është ende rreth 300 EURO në muaj për familje .
Më tutje, ajo theksoi se tani Kosova ofron kushte më të mira për bizneset dhe investitorët potencial nga diaspora duke përmirësuar vazhdimisht ambientin e të bërit biznes në Kosovë dhe pret se përmes hapjes së kësaj Ode, shkëmbimet tregtare në mes të dy vendeve të rriten.
Unë shpresoj dhe uroj që Oda të cilën sot po e inaugurojmë do të luaj një rol të rëndësishëm në investimet e reja dhe përmirësimin e klimës së biznesit në Kosovë. Oda ekonomike Zvicër-Kosovë do të ndikojë në rritjen e mëtutjeshme të shkëmbimeve tregtare në mes dy vendeve tona të cilat janë ende të vogla.\"
\"Njëkohësisht besoj që ju do të promovoni ambientin më të mirë për biznes në Kosovë, lehtësimin e barrierave dhe ngritjen e efikasitetit të sektorit publik potencoi ministrja Kusari Lila.
Zëvendëskryeministrja për Ekonomi e Republikës së Kosovës foli për sektorët potencial për investime siç janë energjia dhe minierat, bujqësia, procesimi i ushqimit, procesimin e drurit, metalet dhe procesimin e metaleve, tekstilet, teknologjinë informative, turizmin dhe ndërtimin. Ajo theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të mbështesë ndërmarrësinë dhe inovacionin në mënyrë që vendi ynë të ketë sa më shumë biznese të suksesshme të cilat janë financiarisht stabile dhe të cilat mund të mbijetojnë në tregun e hapur vendor, rajonal e global.
Në fund, ajo përmendi iniciativat që ministria që drejton është duke ndërmarrë siç është hapja e inkubatorëve të biznesit, skemën e garantimit të kredive, skemën vaucher si dhe zhvillimin e zonave të lira ekonomike.