Fillon edicioni i dymbëdhjetë i Panairit të Punës
Prishtinë , 9 qershor - Fakti që sektori privat mbetet një nga gjeneruesit më të mëdhenj të vendeve të punës, u dëshmua edhe këtë vit në Panairin e Punës 2015, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në partneritet me kompaninë rekrutuese The Headhunter dhe përkrahje të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Ky organizim tanimë tradicional, ofron mundësi të shumta të punësimit dhe punës praktike, përmes pjesëmarrjes në këtë Panair të kompanive më serioze kosovare nga sektorë të ndryshëm, përfshirë këtu sektorin financiar, arsimor, shitje me shumicë dhe pakicë, shërbime e shumë të tjerë.
Në fjalimi e tij hyrës, Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, z. Arian Zeka ritheksoi rëndësinë e një organizimi të tillë në mundësimin e kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet punëdhënësve dhe punëkërkuesve, duke inkurajuar kompanitë pjesëmarrësi që krahas vendeve të lira të punës t\'u ofrojnë sa më shumë mundësi punëkërkuesve. Më tej, ai inkurajoi të rinjtë që të aplikojnë për punësim dhe të demonstrojnë talentin dhe shkathtësitë e tyre, për të vazhduar më tej në zhvillimin e shtegut të karrierës për ta.
Ndërsa, Elton Ilirjani nga kompania The HeadHunter, vlerësoi shumë pozitvisht punën që po bën Ministri Abrashi dhe Ministria e tij në nxitjen e punësimit, si dhe Oda Amerikane në krijimin e lidhjeve në mes të bisneseve dhe punëkërkuesëve. Njëkohësisht, ai përmendi edhe Promovimin e Diversitetit në Tregun e Punës, si risinë e Panairit të sivjetmë.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi me rastin e hapjes zyrtare të Panairit të Punës 2015, shprehu përkrahjen e tij të vazhdueshme dhe institucionit që ai drejton, ndaj iniciativave të tilla që ndikojnë në krijimin e sa më shumë vendeve të reja të punës. Gjithashtu, ai ftoi të gjithë punëkërkuesit që ti shfrytëzojnë këto mundësi, të cilat nuk janë të pakta, gjë e cila u vërtetua edhe përmes ofrimit të pozitave të lira të punës nga kompanitë pjesëmarrëse në këtë Panair.
Dita e parë e këtij Panairi vazhdoi me Konferecën me temën Promovimi i Diversitetit në Tregun e Punës. Në prezantimin e tij, Ministri i Punës Abrashi u shpreh i vetëdijshëm mbi dukurinë e punësimit, si një nga shqetësimet më aktuale. Ai shpalosi disa nga projektet e Ministrisë së Punës në këtë drejtim, të cilat përfshijnë sektorin e punësimit përmes krijimit të Agjencisë së Punësimit, i cili planifikohet të ketë zyrat nëpër tërë Kosovën, si dhe shërbimet dhe skemat sociale. Më tej, ai përmendi edhe disa prej masave stimuluese të parapara me planin e veprimit në kuadër të Ministrisë së tij, që përfshin subvencionimin e pagave si dhe grantet për vetëpunësim dhe mikrobiznese.
Arian Zeka nga Oda Amerikane e vlerësoi si shumë të rendësishëm rolin e qeverisë si ndërmjetësuese, sidomos përmes subvencionimit. Ai foli edhe për ngritjen e vetëdijes në eliminimin e paragjykimeve ndaj grupeve të ndryshme të shoqërisë, luftimit të diskriminimit në vendet e punës si dhe promovimimin e diversitetit dhe gjithëpërfshirjes në punësim pavarësisht gjinisë, prejardhjes etnike, orientimit fetar e seksual dhe dallimeve të tjera. Ai potencoi se në kuadër të aktiviteteve të përgjegjësisë sociale korporative, vitin e kaluar Oda Amerikane ka promovuar edhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Në anën tjetër, Kryesuesja e Komitetit të Burimeve Njerëzore, Arta Celina përmendi nga perspektiva e bizneseve disa nga dimensionet që duhet kushtuar rëndësi te veqantë sa i përket përgatitjes ë kuadrove të reja. Ajo bëri thirrje që të vihet ne fokus zëri i bizneseve nga ana e institucioneve dhe bashkarisht të punojmë ne identifikimin e nevojave të punëkërkuesëve dhe implementimin e praktikave më të mira botërore në këtë drejtim.
Elton Ilirjani nga HeadHunter foli në përgjithësi për praktikat e punësimit, duke përmendur edhe disa nga sfidat kryesore që hasen gjatë këtij procesi. Sipas rezultateve të një studimi mbi tregun e punësimit, që kompania e tij ka bërë në vitin 2013 dhe 2014, si problematika kryesore kur kemi të bëjmë me punësimin, janë identifikuar: mentaliteti, diskriminimi në punësim dhe arsimimi.
Drejtori i Kolegjit Universum, Alejtin Berisha si problem kryesor i sheh ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur viteve të fundit, përfshirë këtu edhe kërkesat në tregun e punës. Sipas tij, përgatitja e kuadrove adekuate, përfshirë këtu identifikimin e kërkesave të tyre dhe më tutje edhe orientimin në karrierë, janë dy prej faktorëve shumë të rëndësishëm nw tw cilwt duhet investuar.
E veçanta e këtij panairi është organizimi i tij në ambient të hapur, në oborrin e Bibliotekës Kombëtare Pjetër Bogdani, i cili do të zgjasë për dy ditë me radhë, pra me 9 dhe 10 qershor, prej 09:00-17:00.