Fillon aplikimi për Grantet e programit EURED
Prishtinë, 15 nëntor - Agjencia për Zhvillim Rajonal të premten në Prishtinë nisi sesionin informues për Skemën e Katërt të Granteve të programit për Zhvillim Ekonomik Rajonal të njohur si EURED.
Në konferencën e sotme, e cila edhe shënoi përmbylljen e sesioneve informuese për Grantet e EURED-it për këtë vit, mbi 60 përfaqësues të organizatave dhe institucioneve patën rastin që të informohen më detajisht lidhur me procedurën e aplikimit për Grantet e programit EURED.
Përfaqësuesi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Dardan Sadriu, duke theksuar rregullat e thirrjes për propozime, përmendi , se në Grantet e EURED-it mund të aplikojnë personat juridik dhe organizatat jo-fitimprurëse, jo-qeveritare, operator të sektorit publik, autoritetet lokale, si dhe organizata (ndër-qeveritare) ndërkombëtare.
Nën qasjen e EURED-it, pesë Agjenci për Zhvillim Rajonal do të koordinojnë përpjekjet e ndryshme të aplikantëve, si në dizajnimin e projekteve, mobilizimin e fondeve si atyre Qeveritare ashtu edhe të donatorëve, për të ofruar kështu lehtësime në zhvillimin ekonomik rajonal.
Në këtë kuadër, Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Rajonale Qendër, Hasan Neziri, u bëri thirrje aplikantëve potencialë që të jenë të lirë dhe të kërkojnë ndihmën e Agjencisë gjatë tërë fazës së aplikimit për Grantet e programit EURED.
Seksionet informuese të cilat janë mbajtur në pesë rajonet kryesore të Kosovës, vijnë pas lansimit të thirrjes së hapur të Skemës së Granteve për Zhvillimin Ekonomik Rajonal të financuar nga Zyra e BE-së e cila është projektuar për të mbështetur infrastrukturën në shkallë të vogël të biznesit dhe krijimin e kushteve për biznes konkurrues në Kosovë.