Fillon aplikimi i platformës së e-prokurimit
Prishtinë, 2 shtator - Në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr.12/79 të datës 15.03.2016, dhe në funksion të funksionalizimit të platformës së prokurimit elektronik ka filluar aplikimi i platformës së e-prokurimit për të gjitha Autoritetet Kontraktuese në nivelin qendror.
Me këtë rast, sot u mbajt një takim informues me Zyrtarët Përgjegjës të Prokurimit (Menaxherët e Prokurimit) dhe përfaqësuesit e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, të cilët u informuan për hapat që duhet të ndiqen në procedurat e prokurimit elektronik.
Në këtë takim Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se pas shumë angazhimeve të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe ekspertëve të angazhuar në këtë projekt me ndihmën e partnerëve tanë zhvillimorë, është përfunduar platforma elektronike për e-prokurim.
Prandaj, unë kam kënaqësinë që bashkë me ju, të fillojmë zbatimin e vendimit të Qeverisë për aplikim të prokurimit elektronik.Kjo është reforma më e madhe në fushën më të ndjeshme të financave publike, që është prokurimi. Kjo reformë është në përputhje me objektivin kryesor të Ministrisë së Financave dhe të Qeverisë që është rritja e transparencës dhe efikasitetit në shpenzimet publike, shtoi Ministri Hoti.
Sipas ministrit Avdullah Hoti prokurimi elektronik ka përparësi të pakrahasueshme, sepse siguron transparencë maksimale dhe objektivitet në përzgjedhjen e përfituesve të kontratave publike, siguron automatizim të procedurave dhe monitorim shumë më të mirë të kontratave, shkëputë kontaktet e drejtpërdrejta të zyrtarëve të prokurimit me operatorët ekonomik gjatë procesit të përzgjedhjes, mundëson që çdo aktivitet i zyrtarëve të prokurimit të jetë plotësisht i gjurmueshëm në sistem online dhe i qasshëm për të gjithë. Kjo mundëson auditim më të lehtë dhe kontroll më efikas të proceseve të prokurimit dhe e rrit përgjegjësinë e zyrtarëve të prokurimit, si dhe ofertat bëhen të lexueshme të gjitha njëkohësisht, sepse sistemi nuk lejon qasje selektive dhe asnjë lloj keq-përdorimi. Të gjitha këto rrisë konkurrencën dhe rrjedhimisht ulet kostoja për realizimin e investimeve publike.
Me aplikimin e prokurimit elektronik, ne përmbushim dy obligime karshi agjendës tonë për integrime në Bashkësinë Evropiane dhe qasje në institucione financiare ndërkombëtare. Prokurimi elektronik është pjesë e Programit që ka Qeveria e Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, përmes të cilit përfitojmë deri në 180 milionë euro kredi direkte buxhetore për financim të projekteve, si dhe qasje në institucione financiare ndërkombëtare. Prandaj, dëshiroj të falënderoj KomisioninRregullativ të Prokurimit Publik për angazhimet në këtë drejtim për përmbushjen e kësaj pjese të Programit me FMN-në, dhe gjithashtu aplikimi i prokurimit elektronik na barazon me shumë shtete evropiane që e aplikojnë këtë formë të prokurimit, si dhe përmbushim kërkesat e Komisionit Evropian të parapara në Raportin e Progresit për Kosovën, tha Ministri Hoti.
Me këtërastministri Avdullah Hoti gjithashtu falënderoj kryetarin e KRPP-së dhe anëtarët e tjerë të Bordit të KRPP-së, për menaxhimin e këtij procesi me shumë kompetencë dhe përkushtim, ku tha se të jeni të sigurt se me këtë reformë ju jeni duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në modernizimin e administratës publike në Kosovë dhe në rritjen e besueshmërisë së partnerëve tanë ndërkombëtarë karshi institucioneve të shtetit të Kosovës.