Fillon aplikimi i faturimit elektronik në Tatimin në Pronë E-Fatura
Prishtinë, 1 mars - Ministria e Financave njofton gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se sot ka filluar aplikimi i shërbimit elektronik për Tatimin në Pronë E-Fatura, përmes të cilit tatimpaguesve u mundësohet marrja e faturës, përcjellja e gjendjes, si dhe bërja e pagesës së tatimit në pronë në pikën më të afërt, në Postë apo në Bankë.
Përmes përdorimit të këtij shërbimi elektronik, tatimpaguesit kursejnë kohën dhe koston dhe po ashtu, mundë ta përcjellin gjendjen në çdo kohë. Përveç kësaj, numri UNIREF në faturë ua mundëson tatimpaguesve që ta kryejnë pagesën edhe përmes sistemit bankar, e-banking.
Kusht për shfrytëzimin e sistemit elektronik nga ana e tatimpaguesve është futja e të dhënave personale si: numri personal, emri dhe mbiemri.
Implementimi i këtij sistemi më të avancuar të pagesave për Tatimin në Pronë nga Ministria e Financave, është edhe një përkushtim tjetër i Qeverisë së Kosovës në ofrimin e shërbimeve më të mira dhe më të shpejta për tatimpaguesit.
Për tu qasur në shërbimin elektronik, tatimpaguesit duhet të vizitojnë ueb faqen zyrtare të Tatimit në Pronë: https://fatura.tatimineprone-rks.org/.