Fillon aksioni humanitar Blej dhe dhuro
Prishtinë, 6 qershor - Për të tretin vit me rradhë, me iniciativë të Shoqatës Humanitare Bamirëse së Kosovës Nëna Terezë, dhe me mbështetjen e qendrës tregtare Viva Fresh Store në Kosovë, organizohet aksioni Blej dhe dhuro i cili ka për qëllim mbledhjen e produkteve ushqimore dhe higjienike për familjet që jetojnë në kushte të rënda.
Qëllimi i këtij aktiviteti është që qytetari të jetë kontribues i drejtpërdrejtë tek familjet nevojtare të Kosovës, ku përderisa kryejnë blerjen e tyre në pikat kryesore të Viva Fresh Store nëpër Kosovë, të ndajnë nga një artikull për ti lënë tek këndi i Bamirësisë së Shoqatës Nëna Terezë të vendosura në hapësirat e Viva Fresh Store.
Drejtori i Shoqatës Nëna Terezë, Zef Shala, ka theksuar se Blej dhe dhuro është shndërruar në një aksion humanitar tradicional, ku me ardhjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, mirëpritet edhe ky aksion.
Aksioni Blej dhe dhuro, i organizuar gjatë dy viteve të kaluara, ka bashkuar të gjithë njërezit e vullnetit të mirë, duke asistuar më shumë se 1000 familje nevojtare anembanë Kosovës. Përmes këtij aktiviteti, konsumatorët kanë mundësi që me kontributin e ndonjë artikulli ushqimor apo higjienik tek këndet e Bamirësisë, të ndihmojnë në formimin e një pako e cila i shpërndahet familjeve në nevojë të Kosovës.\"
\"Shoqata Nëna Terezë falenderon Viva Fresh Store për mbështetjen, dhe njëkohësisht, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të kontribuojnë në këtë aksion për të ndihmuar familjet e shumta të cilat jetojnë në kushte të rënda ekonomike,, u shpreh Shala.
Erton Bega, Drejtor në kompaninë Viva Fresh Store, dhe njëherë shprehu vullnetin e kompanisë për të qenë pjesë e këtij aksioni humanitar.
Viva Fresh Store tashmë ka të thelluar fuqishëm bashkëpunimin me Shoqatën Nëna Terezë, duke marrë parasyshë se ne si kompani kemi një traditë të gjatë të angazhimit në komunitet dhe në mbështetjen e iniciativave humanitare. Duke parë suksesin e këtij aktiviteti, Viva Fresh Store ofron përkrahjen e palëkundshme, kështu duke nxitur frymën e vullnetit të mirë për të kontribuar për familjet nevojtare në Kosovë çdoherë, e sidomos në këtë muaj të solidaritetit dhe mirësisë, u shpreh Bega.
Aktiviteti do të zgjasë gjatë tërë muajit të Ramazanit, ku të gjithë artikujt e grumbulluar do të paketohen nga stafi dhe vullnetarët e Shoqatës Nëna Terezë dhe Viva Fresh Store. Shpërndarja e pakove do të bëhet në vazhdimësi, me tu mbushur stendat e vendosura në të gjitha pikat e Viva Fresh Store.