18 Nëntor 2024

Fillon aksioni “Blej dhe dhuro” për familjet nevojtare të Kosovës

Prishtinë, 28 Qershor – Me iniciativë të Shoqatës Humanitare Bamirëse së Kosovës, Nëna Terezë, dhe me mbështetjen e qendrës tregtare Viva Fresh Store në Kosovë, nga sot ka filluar aksioni “Blej dhe dhuro” i cili ka për qëllim mbledhjen e produkteve ushqimore dhe higjienike për familjet që jetojnë në kushte të rënda, kjo me rastin e Ramazanit dhe festës së Fitër Bajramit.

Qëllimi i këtij aktiviteti është që qytetari të jetë kontribues i drejtpërdrejtë tek familjet nevojtare të Kosovës, ku përderisa kryejnë blerjen e tyre në të gjitha pikat e Viva Fresh Store nëpër Kosovë, të ndajnë nga një artikull për t’i lënë tek këndi i Bamirësisë i Shoqatës Nëna Terezë të vendosura në hapësirat e Viva Fresh Store.

Drejtori i Shoqatës Nëna Terezë, Zef Shala, ka shpjeguar se si kjo iniciativë është e re për vendin tonë dhe shpreson që të arrihet një sukses shumë i madh i cili do të ishte shembull për të tjerët.

“Ideja e këtij aktiviteti është të afrojë qytetarin tek ata që janë në nevojë për ne - familjet e varfëra të Kosovës. Përmes këtij aktiviteti, konsumatorët, në këtë rast të Viva Fresh Store, kanë mundësi që të blejnë një artikull shtesë, ushqimor apo higjienik, dhe ta vendosin tek pikat tona grumbulluese, dhe kështu, të ndihmojnë në formimin e një pako e cila i shpërndahet familjeve të varfëra dhe në nevojë në Kosovë.

Duke pasur parasysh të dhënat alarmante mbi varfërinë në Kosovë, Shoqata Nëna Terezë kryen misionin e saj në tërë Kosovën, duke mbështetur për çdo vit mbi 6000 familje përmes programeve të ndryshme. Andaj, kësaj rradhe, me mbështetjen e Viva Fresh Store, ne kemi filluar këtë aksion me qëllim që t’i zgjasim dorën familjeve nevojtare anembanë Kosovës në këtë muaj të shenjtë ku nuk kursehet fryma e mirësisë, solidaritetit dhe kontributit për të tjerët.”

Erton Bega, drejtor në qendrën tregtare Viva Fresh Store, ka shprehur gatishmërinë për t’u bërë partner i fuqishëm i Shoqatës Nëna Terezë, duke u bashkuar në reflektimin e vlerave të rëndësishme të bamirësisë dhe kontribuimit në komunitet.

“Viva Fresh Store vazhdimisht përkrah aktivitete humanitare, ku dhe me këtë rast, do të ndihmojë në zhvillimin e këtij aktiviteti në 21 pikat e Viva Fresh Store, në 14 qytete të Kosovës. Gjithashtu, në mënyrë që të rritet numri i familjeve të ndihmuara, ne kemi vendosur që nga sot e deri në ditën e fundit të aktivitetit, përpos stendave qe do të vendosen nga Shoqata Nëna Terezë, ne do të dhurojmë edhe një kontribut nga secila faturë e shitjes së Viva Fresh Store - buxhet i cili do të dedikohet  për formimin e pakove me artikujt bazë dhe të nevojshme për secilën familje.

Andaj, ne iu bëjmë thirrje qytetarëve që të mbështesin këtë aktivitet humanitar, pasi që njëkohësisht, me këtë ne mbështesim familjet kosovare me kushte të rënda sociale.”

Aktiviteti do të zgjasë deri në ditën e fundit të muajit të Ramazanit, ku të gjitha artikujt e grumbulluar do të paketohen nga stafi dhe vullnetarët e Shoqatës Nëna Terezë, dhe nga Viva Fresh Store.

Shpërndarja e pakove do të bëhet në vazhdimësi, me t’u mbushur stendat e vendosura në të gjitha pikat e Viva Fresh Store, kurse pakot e dhuruara nga Viva Fresh Store do të shpërndahen me rastin e festës së Fiter Bajramit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)