Fillojnë punime për rregullimin e kanalizimit dhe shtratit të lumit në Dobërqan
Prishtinë, 2 dhjetor - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot në Gjilan mori pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve për realizimin e projektit “Rregullimi i kanalizimit dhe shtratit të lumit në Dobërqan”, projekt ky i cili financohet nga MMPH dhe kap vlerën totale prej 550 mijë euro.
Me këtë rast Ministri Matoshi u shpreh i lumtur që po investohet në këtë fshat që sipas tij është shembull i aktivizimit qytetar për mbrojtjen e mjedisit.
Ai tutje tha se ky projekt zgjidh problemin e ujërave të zeza për banorët e kësaj ane.
“Besoj dhe shpresoj që projekti do të realizohet ashtu siç është e paraparë dhe projektuar me një mbikqyrje në radhë të parë të vetë banorëve, të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit "Hidromorava", nga komuna e Gjilanit si dhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, shpreh Ministri Matoshi.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli e ka falënderuar Matoshin që gjatë mandatit të tij si ministër ka pasur fokus edhe këtë komunë përmes projekteve mjedisore.
Matoshin për këtë investim e kanë falendëruar edhe asamblisti i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Ibish Ibishi si dhe drejtori i “Hidromoravës, Muhamet Suliqi.
Kujtojmë që këtë vit në Gjilan, MMPH po investon edhe projekte tjera mjedisore, që kapin vlerën buxhetore mbi 2 milion euro.