Fillojnë diskutimet Kosovë - FMN për programin e ri
Prishtinë, 15 janar - Ministri i Financave Besim Beqaj është takuar sot me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Johannes Wiegand, shefin në shkuarje të misionit të FMN-së për Kosovë, dhe me Jacques Alian-Miniane , shefi i ri i misionit për Kosovë dhe biseduan edhe për fillimin e bisedimeve për një program të ri ndërmjet Kosovës dhe FMN-së.
Në këtë takim, Beqaj falënderoi zotin Wiegand për punën dhe kontributin e tij gjatë viteve të kaluara dhe i dëshiroi mirëseardhje dhe suksese në detyrën e re zotit Alian-Miniane .
Ministri Beqaj informoi përfaqësuesit e FMN-së për përmbylljen me sukses të vitit 2013 si dhe për fillimin e mbarë të vitit 2014. U diskutua edhe për një sërë çështjesh me interes, që lidhen me reformat e Qeverisë për vitin 2014.
Përfaqësuesit e FMN-së falënderuan ministrin Beqaj për bashkëpunimin e deritanishëm dhe u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.
Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet Kosovë-FMN dhe për mundësinë që në muajt në vijim të fillohet me diskutimet për një program të ri për periudhën e ardhshme.