Ferronikeli shperndau dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara
Prishtinë, 13 dhjetor - Në prag të festave të fundvitit, NewCo Ferronikeli, shpërndau dhurata për fëmijët me aftësi të Kufizuara të Qendrës së HandiKOS-it në Drenas.
Përfaqësuesit e kësaj Qendre e çmuan lartë gatishmërinë dhe përkushtimin e Ferronikelit për përkrahjen e qytetareve me aftësi të kufizuar e sidomos fëmijëve.
Për këtë kategori të fëmijëve është shumë domethënëse kur nga dikush pranojnë një përkëdhelje, një fjalë të ëmbël, e sidomos dhuratë për Vitin e Ri, tha menaxheri i HandiKOS, z. Behxhet Binaku gjatë shpërndarjes së ndihmave.
Ai gjithashtu u shpreh se ju sot jo vetëm që keni gëzuar këta fëmijë por keni gëzuar zemrat tuaja, dhe ju keni gëzuar prindërit e tyre, andej ju jemi shumë mirënjohës që na keni mundësuar realizimin e këtij projekti kur kemi parasysh që buxheti ynë është i pamjaftueshëm që ti gëzojmë këta fëmijë.
Ndërkaq zyrtari për informim i Ferronikelit, z. Shpëtim Ukaj, duke ju uruar fëmijëve festat e fundvitit, qendrës së HandiKOS-it, ju premtoi që edhe në të ardhmen Ferronikeli do të bej çështë e mundur që tju ndihmoj këtyre fëmijëve në forma të ndryshme.
Gjate gjithë këtij vitit sikurse edhe viteve të tjera kemi realizuar projekte të ndryshme për ta ndihmuar Komunitetin jo vetëm të Drenasit por edhe me gjerë. Pra edhe ky aktivitet i sotshëm për ti gëzuar këta fëmije me nga një dhuratë modeste është në kuadër të projekteve tona në ndihmesë të personave në nevojë u shpreh z. Ukaj.
Fëmijët e kësaj Qendre edhe pse me aftësi të kufizuara, të gjithë ju gëzuan marrjes së dhuratave dhe në forma të ndryshme, shprehen gëzim në fytyrat e tyre dhe disa nga ta edhe shprehje falënderuese.
NewCo Ferronikeli çdo fundvit përkujdeset që ti gëzoj fëmijët e të gjitha kategorive me dhurata e në veçanti fëmijët në nevojë dhe fëmijët me aftësi të kufizuara.