Ferronikeli shpërndan pako me ushqim në Drenas
Drenas, 2 tetor - Në prag të festës së Kurban Bajramit, ndërmarrja e NewCo Ferronikeli së bashku me Komunën e Drenasit bënë shpërndarjen e 80 pakove me ushqim , për familjet me kushte të rënda ekonomike.
Me këtë rast përfaqësuesit e Kuvendit Komunal të Drenasit, falënderuan NewCo Ferronikelin për bashkëpunim në projekte të ndryshme duke kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve , në fusha të ndryshme.
Falënderojmë NewCo Ferronikelin e në veçanti menaxhmentin e saj të cilët po shprehin solidaritet me rastin e festës së Kurban bajramit. Ne si komunë , në kuadër të bashkëpunimit që kemi me NewCo Ferronikelin në shumë fusha po ashtu kemi arrit që të realizojmë edhe këtë aktivitet sot pra shpërndarjen e ndihmave për banorët u shpreh z. Skender Hasi , përfaqësues i Kuvendit Komunal të Drenasit dhe njëherazi edhe koordinator i komunës për këtë projekt me NewCo Ferronikelin.
Ndërkaq Drejtori Menaxherial i NewCo Ferronikelit, z. Ioannis Moutafis , në një fjalim të shkurtër përpara qytetarëve të pranishëm , tregoi për përkushtimin që Kompania e tij ka ndaj komunitetit të Drenasit dhe për bashkëpunimin e mirë në projekte të ndryshme me Komunën e Drenasit.
Ai më konkretisht tha se Në këtë ditë të rëndësishme , po përpiqemi që me këto ndihma sado të vogla që vijnë nga ana jonë, të bëjmë të mundur që kjo festë të vij këtë vit sa me e madhe dhe sa me e gëzueshme në familjet tuaja . E gjitha kjo po arrihet, fal një bashkëpunimi të mirë që kemi me Komunën e Drenasit. Kompania NewCo Ferronikeli e ka dëshmuar diçka të tillë pasi edhe në të kaluarën kemi arritur të bashkëpunojmë , me projekte të ndryshme me Komunën e Drenasit që prekin mirëqenien e banorëve , tha z. Moutafis.
Po ashtu z. Moutafis u zotua para qytetarëve të rajonit të Drenasit që projekte të ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Në fund përfaqësuesit e NewCo Ferronikelit dhe Komunë së Drenasit ju uruan festën e Kurban Bajramit të gjithë të pranishmëve, të cilët edhe shprehen falënderimet e tyre.
Pakot ushqimore që u shpërndan sot përbëhen nga: 50 kilogram miell, vaj, sheqer, oriz e ushqime të tjera elementare.